×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Me hapa të ngadaltë por të sigurt – Si e përzuri VV’ja Haki Abazin?

    Insajderi
    04 May 2023 - 12:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Saga e përzurjes së Haki Abazit nga Lëvizja Vetëvendosje filloi me largimin e këtij të parit nga komisionet parlamentare dhe përfundoi me zënien e ulëses së tij në Kuvendin e Kosovës. Sot, deputeti Abazi u pa në ulëset e fundit të Kuvendit, pra jashtë Grupit Parlamentar të VV-së.

    Pas disa përplasjeve të brendshme të Abazit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, deputeti i VV-së e pësoi duke u larguar nga dy komisione parlamentare – iu mor pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe ajo e anëtarit në Komisionin për Stabilizim-Asociim, raporton Insajderi.org.

    Abazi, pas shkarkimit në këto dy komisione, insistonte se nuk do të largohet nga grupi parlamentar dhe se nuk ka votë kundër Qeverisë Kurti.

    “Nuk do të largohem nga grupi parlamentar. Nuk kam as votë kundër, as largim nga VV. Nuk është brengosja tek shkarkimi im. Nëse deputetët e VV-së dhe të opozitës vendosin të më shkarkojnë, natyrisht se do e respektoj  por shkarkimi duhet të vije si rezultat i analizës së punës, jo urdhrave politikë e diktateve nga vendet që nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve”, deklaronte ai në një konferencë për media menjëherë pas shkarkimit.

    Përkundër respektimit të Grupit Parlamentar, Abazi akuzonte për izolim dhe kontroll të GP-së së VV-së nga Dejona Mihali, të cilën e quante “Masha e Kurtit”.

    “Dejona Mihali është dora, është masha e kontrollit të Grupit Parlamentar të LVV-së, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputet të LVV-së. Znj. Mihajli nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë në garën e brendshme të zgjedhjeve në Lëvizjen Vetëvendosje, por është njeriu kryesor që menaxhon me Grupin Parlamentar”, deklaronte dikur zëvendëskryeministri i Kosovës.

    Dy muaj më vonë, Abazi njoftoi për largimin e tij nga grupi i famshëm i WhatsApp-it, që përbëhet nga deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

    ““Ne e kemi pas një grup në Whatsapp ku janë informuar deputetët e Grupit Parlamentar. Më kanë largu prej aty, me urdhër sigurisht të Kurtit, se aty nuk vendosin të tjerët. Nuk marr informacion, nuk ma kishin dërgu raportin e Qeverisë, që ja kanë dërgu deputetëve të tjerë…”, deklaronte ndër të tjera ish-deputeti i VV-së.

    Haki Abazi përgjatë ditës së djeshme akuzoi kryeministrin Kurti dhe Kusari-Lilën për krijim të një skenari për përplasje fizike me deputetin e VV-së, Salih Zybën. Ndër të tjera, ai njoftoi edhe për zënie të ulëses së tij nga deputeti tjetër i VV-së, Besim Muzaqi.

    “Incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Kur shkova te ulësja në kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelen time nga aparati , dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet. Turp Krejt dhe Drejt!”, shkroi Abazi.

    Kusari-Lila, pa sqaruar gjatë, dje njoftoi për vendim unanim të GP-së së VV-së për përjashtimin e deputetit Abazi.

    Rënia e besimit të Kurtit ndaj Abazi ndodhi brenda një periudhe të shkurtër dhe në mënyrë mjaft drastike. Kurti përpara dy vite e gjysmë ja besonte Abazit pozitën e numrit dy të Qeverisë Kurti I, ndërkaq sot s’e ka as deputet. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    18 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark