
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Kosova ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar, duke u njohur zyrtarisht nga Sudani.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla u shpreh mirënjohëse ndaj Sudanit për këtë vendim, si dhe falënderoi presidenten Vjosa Osmani për përkushtimin dhe angazhimin në arritjen e kësaj njohjeje.
“Kjo njohje pason lajmin e mirë nga Kenia dhe forcon më tej praninë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, veçanërisht në kontinentin afrikan,” theksoi ajo.
Ajo shtoi se kjo është një arritje e përbashkët diplomatike, falë angazhimit të institucioneve dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë.
“Presim me padurim të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike me Sudanin dhe të bashkëpunojmë në fusha me interes të ndërsjellë,” përfundoi Gërvalla.