Një nga rrugët kryesore në Drenas mban emrin e dy figurave të luftës në Kosovë, “Fehmi dhe Xhevë Lladroci”. Emërtimi i kësaj rruge nuk shënon vetëm kujtimin e një çifti bashkëluftëtarësh, por edhe kontributin që ata dhanë për lirinë e Kosovës.
Zyrafete Hoxha

Në Kosovë, shumë rrugë mbajnë emrat e burrave që lanë gjurmë në histori, por krahas tyre qëndrojnë edhe gratë që dhanë po aq shumë nga vetja. Xhevë Lladrovci ishte nga ato gra, luftëtare, që të sillte ndërmend Shotë Galicën, luftëtaren e paepur drenicase.
Ajo ishte luftëtarja e vetme e UÇK-së, që mori gradën e gjeneral-majorit, e kjo është grada më e lartë që ka marrë një grua shqiptare.
Xhevë Lladrovci edhe sot mbetet një figurë frymëzuese për shumë vajza të reja, jo vetëm për guximin dhe rolin e saj në luftë, por edhe për zgjuarsinë, vendosmërinë dhe përkushtimin ndaj dijes, pra Xheva mbetet një nga figurat historike, që dëshmon se lufta dhe liria nuk kanë qenë vetëm histori burrash.
Përgjithësisht, në shumë shkrime për Xhevën, është parë kryesisht si luftëtare e madhe për liri dhe pavarësi, por pak i është dhënë hapësirë jetës së saj, jashtë rolit si heroinë e kombit.
Në një periudhë, kur për shumë vajza, arsimimi nuk ishte gjithmonë i lehtë dhe shpesh pengohej nga rrethanat shoqërore e politike, ajo zgjodhi të vazhdojë rrugën e shkollimit dhe arriti të përfundojë studimet universitare, duke diplomuar në dy fakultete, në gjuhë dhe letërsi dhe fakultetin juridik gjatë viteve të ‘70-ta, pra në një kohë ku ka qenë shumë e rrallë, që edhe burrat të vijojnë studimet universitare.
Xheva merrte këtë vullnet për të vazhduar universitetin edhe nga familja, e cila ishte shumë përkrahëse ndaj vendimeve që merrte ajo, një shtytje të madhe kishte edhe të atin Avdylin. Avdyl Krasniqi një ndër profesorët e parë të Kosovës dhe atdhetar i shquar i trevës së Drenicës. Poashtu, në histori përmendet si mësuesi që gjeti eshtrat e Azem Galicës, në varrin e vendosur brenda një shpelle.

Ashtu si i ati, edhe Xheva iu përkushtua arsimit dhe punoi si profesoreshë në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Por në vitet e ’80-ta, për shkak të veprimtarisë atdhetare, ajo u përjashtua nga puna.
Që në moshë të re, ajo ishte dëshmitare e padrejtësive që përjetonte populli shqiptar dhe e vështirësive që kalonte familja e saj për shkak të bindjeve atdhetare të babait. Kjo përvojë ndikoi në formimin e saj, duke e bërë më të vendosur, më të guximshme dhe më të përkushtuar për të mos qëndruar e heshtur përballë padrejtësive.
Për ata që luftuan pranë saj, Xhevë Lladrovci nuk ishte vetëm luftëtare, por edhe simbol force dhe frymëzimi. Ata e kujtojnë si grua intelektuale, patriote dhe të vendosur, ndërsa e quajnë “Shotë e kohës sonë”, duke e lidhur figurën e saj me Shotë Galicën dhe me traditën e grave shqiptare që kontribuuan për lirinë e vendit.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci u njoh me Fehmi Lladrovcin gjatë veprimtarive ilegale për çlirimin e atdheut. Ata i bashkoi dashuria për Kosovën dhe idealet kombëtare, duke krijuar një lidhje të ndërtuar mbi respektin dhe përkushtimin e përbashkët. Edhe në kohët më të vështira, Xheva qëndroi pranë Fehmiut dhe familjes së tij, ata nuk ishin vetëm bashkëshortë, por edhe bashkëveprimtarë në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Xheva si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ishte bërë edhe mësuese e vjehrrës së saj- nënë Shefkijes, (që insistonte me patjetër të mësonte shkrim-lexim), së cilës ia mësoi abetaren në mënyrë që vetë ajo t’ia shkruante letrat djalit të saj, Fehmiut, në kohën sa ishte në burg.

Sipas Kushtrim Krasniqit, vëllait të saj, Xheva në jetën e përditshme ishte shumë e qetë, e dashur dhe e lidhur ngushtë me familjen. Në kohën e lirë i pëlqente të lexonte, të kujdesej për lulet dhe të kalonte kohë me familjarët. Kishte dashuri të veçantë për natyrën, sidomos për lulëkuqet e Kosovës, të cilat shpesh i përmendte si simbol të bukurisë dhe sakrificës së popullit tonë. Kujdesin ndaj luleve, e bënte me përkushtim të madh, meqë kujdesin ndaj natyrës, e konsideronte tejet të rëndësishëm.
Ëndrra më e madhe e Xhevës ishte ta shihte Kosovën të lirë dhe popullin shqiptar të jetonte me dinjitet. Ajo kishte dëshirë të jepte kontribut në arsim dhe drejtësi dhe e vlerësonte shumë profesionin e mësueses, duke besuar se edukimi ishte rruga më e fuqishme për zhvillimin e shoqërisë.
Vëllai i saj tregon se Xheva fliste shpesh për një Kosovë të lirë, të drejtë dhe të zhvilluar. Ëndrronte që Kosova të ishte një vend ku fëmijët të rriteshin pa frikë, ku vajzat të kishin mundësi të barabarta për shkollim dhe ku secili të jetonte i lirë në vendin e vet. Edhe në periudhat më të vështira, ajo ruante besimin për një të ardhme më të mirë.

Për familjen e saj, Xheva ka qenë një motër e dashur, e afërt dhe shumë përkrahëse, kujdesej për të tjerët, i mbronte dhe dinte të jepte forcë me pak fjalë. Me sjelljen dhe karakterin e saj, mbeti shembull për familjen.
Sa herë çelin lulëkuqet e Kosovës, rikthehet kujtimi për Xhevën- e fortë, e qetë dhe e paharruar, ashtu siç mbetet në zemrat e të afërmve të saj dhe luftëtare e heroinë e Kosovës.
Shënim: Autorja është studente në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.