"Me u pa, me e pi një kafe ...", ish-anëtari i Bordit të KOSTT-it flet në emër të biznesmenit Gentian Sula - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Me u pa, me e pi një kafe …”, ish-anëtari i Bordit të KOSTT-it flet në emër të biznesmenit Gentian Sula

    Insajderi
    16 May 2025 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga hulumtimi del se Gani Jashari ka qenë anëtar bordi në KOSTT deri në vitin 2018, si dhe e ka përfaqësinë për Kosovë të markës “Zepter”, ku pronar është biznesmeni serb Filip Zepter.

    Një telefonatë e papritur nga Gani Jashari, njëzet minuta pasi mediumi ka përfunduar një “intervistë të vështirë” me pronarin e kompanisë “Noa Energy Trade”, Gentian Sula, ngre dyshime për shtrirje të ndikimit të kësaj kompanie nëpër borde të ndërmarrjeve publike.

    Në intervistën dhënë për Buletini Ekonomik, biznesmeni Sula ka konfirmuar lidhjet familjare me drejtuesit e kompanisë “EFT”, dega në Shqipëri, kompani kjo që ka pronar oligarkun serb të energjetikës, Vuk Hamoviç.

    Pas përfundimit të intervistës me Sula-n, në redaksi përmes një thirrjeje telefonike, është lajmëruar personi me emrin Gani Jashari, i cili është prezantuar si “mik i Gentit” dhe ka folur në emër të tij. Jashari ka kërkuar takim me gazetarët e mediumit.

    Kur është pyetur se në çfarë cilësie po e kërkon këtë takim, Jashari ka thënë se ka miqësi me biznesmenin Sula, ndërsa për arsyen e takimit, nuk ka qenë shumë i qartë, përkundër insistimit të mediumit.

    Prej tij është kërkuar që sqarimet t’i japë përmes telefonit.

    “Jo, më mirë është me u pa, me e pi një kafe, Genti më tha që mirë keni folë, krejt në rregull. Qato gjana. Tha me e pa, me e pi një kafe, me ia sqaru qato sene që ia thash, edhe kurgjo tjetër. Ai tha shumë fjalë të mira, thënë të drejtën, se e kom si mik”, ka thënë Jashari përmes telefonit, vetëm njëzet minuta pas përfundimit të intervistës me biznesmenin Sula nga mediumi.

    Në telefonatën e parë që ka ardhur nga Jashari, ai ka thënë se takimin po e kërkon për t’i sqaruar disa gjëra që lidhen me intervistën e biznesmenit Sula, por ka dhënë version tjetër, në një telefonatë të dytë të realizuar dy ditë më vonë.

    Jashari, ish-anëtar bordi në KOSTT

    Jashari del se ka qenë anëtar bordi në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nga viti 2015 deri në vitin 2018.

    KOSTT-i menaxhon me linjat e transmisionit për pjesën e Kosovës dhe ka rol kyç në kuptimin e rregullativës ligjore sa i përket angazhimit të kompanive që merren me tregtim të energjisë elektrike në Kosovë.

    Kompania “Noa Energy Trade” në tregun e Kosovës ka hyrë në vitin 2022, por në Kosovë ekziston që nga viti 2020 “NOA Control”, një kompani tjetër nën pronësinë e biznesmenit nga Shqipëria, Gentian Sula.

    Buletini Ekonomik ka siguruar dëshmi të angazhimit të Jasharit në kompaninë “NOA Control”, dega në Kosovë, ani pse ai e ka mohuar një gjë të tillë.

    Në telefonatën e dytë, të realizuar tash nga mediumi, Jashari ka ndryshuar qasjen kur është pyetur për angazhimin e tij në KOSTT dhe nëse përbën konflikt interesi fakti se ka folur në emër të biznesmenit Sula.

    “Jo se në KOSTT kam qenë më herët, Gentin e njoh ma vonë”, ka thënë ai.

    Ndryshe nga telefonata e parë, kur ai kishte kërkuar takim për “sqarime shtesë rreth intervistës me Gentian Sulan”, në të dytën, Jashari ka ndryshuar qasjen edhe sa i përket “njohurive të tij rreth sektorit të energjisë”. Tash ka thënë se “nuk i merr vesh këto gjana”.

    “2023 qashtu, e kom pa, kemi bisedu, jemi taku me të, shoqëri kështu. Kurgjo tjetër, absolutisht. Unë këto s’po i marr vesh rreth energjisë. Nuk i përcjelli fort me të thënë të drejtën”, ka thënë Jashari.

    Lidhjet me Filip Zepter, biznesmenin e njohur serb të markës “Zepter”

    Përveç ish-anëtar bordi në KOSTT, Jashari del se është i angazhuar edhe në “botën e biznesit”. Ai e ka përfaqësinë e markës “Zepter”, për të cilën nga të dhënat publike, thuhet se “është një ndërmarrje zvicerane e mallrave të konsumit, e cila prodhon, shet dhe shpërndan mallra të konsumit përmes shitjeve direkte dhe dyqaneve”. Produktet e Zepter prodhohen në tetë fabrika të Zepter-it me seli në Gjermani, Itali dhe Zvicër.

    Ngashëm sikurse kompania me origjinë serbe “EFT” në krye me Vuk Hamoviç, që selinë kryesore ka në Zvicër, edhe për “Zepter”, të dhënat publike thonë se është “kompani zvicerane”. Por, pronari i saj Filip Zepter është me origjinë nga Serbia dhe vlerësohet si njëri nga biznesmenët më të pasur në Serbi.

    Jashari ka dhënë të dhëna kontradiktore rreth kohës kur e ka marrë përfaqësinë Zepter-it për Kosovë. Në ARBK, “Zepter” figuron e regjistruar që nga viti 2001, por Jashari ka thënë se përfaqësinë e ka marrë nga viti 2022.

    “Po e kemi përfaqësinë e Zepterit. Djali, jo unë. Prej vitit 2022-2023. Përfaqësues gjeneral për Kosovë. Na e kemi përfaqësinë e Philip Zepterit që është në Zvicër”, ka thënë Jashari, teksa ka mohuar se Filip Zepter është biznesmen nga Serbia.

    “Ky qysh unë kam lexu, ka emigru në kohën më të rëndë atëherë, ka emigru jashtë, ka punu jashtë, është me nënshtetësi zvicerane”, thotë Jashari.

    Kush është Filip Zepter?

    Sipas një artikulli të mediumit serb Krik.rs për Filip Zepter, thuhet se është një nga biznesmenët më të pasur të Serbisë, dhe sikurse Vuk Hamovic, edhe ky ishte pjesë e skemës për shmangie tatimore përmes kompanive ‘offshore’, që lidhen me rrjedhjen masive të të dhënave të njohur si ‘Panama Papers’ të vitit 2016.

    “Ai bashkëpunoi me Alain Bionda, një avokat dhe tregtar nafte nga Zvicra. Bionda, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, ishte i përfshirë në transaksione të paligjshme nafte me Irakun. Bionda ishte në kontakt me zyrën e Mossack Fonseca për të ngritur kompani jashtë vendit për Zepter dhe gjithashtu shërbeu si drejtor në disa kompani të Zepter. Zepter kishte kompani offshore në Panama dhe Qipro”. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark