Mediat malazeze kanë publikuar fotografitë e Mihail dhe Valeria Zvinçuk, dy drejtuesve të rrjetit rus informativ “Ribar”, të cilët u arrestuan të premten në Risën të Malit të Zi, së bashku me tre bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas portalit malazez Pobjeda, aksioni u zhvillua nga policia malazeze në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB), në kuadër të hetimeve për veprimtarinë e dyshuar të rrjetit rus të ndikimit hibrid.
Sipas informacioneve të publikuara nga Pobjeda, Mihail Zvinçuk dyshohet se është kolonel i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU), i angazhuar në operacione hibride. Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Valeria Zvinçuk, gjendet në listën e zezë të Britanisë së Madhe.
Fotografitë e publikuara nga mediat malazeze paraqesin Mihail dhe Valeria Zvinçuk, të cilët u arrestuan gjatë aksionit në Risën.
Rrjeti “Rybar”, i themeluar në vitin 2018, është bërë i njohur ndërkombëtarisht gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Fillimisht i përqendruar në analiza ushtarake dhe raportime nga konfliktet, ai më vonë u shndërrua në një rrjet të gjerë komunikimi, të cilin institucionet perëndimore e lidhin me përhapjen e narrativave pro-ruse, propagandën dhe operacionet e ndikimit informativ.
Mihail Zvinçuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga qershori i vitit 2023, për shkak të rolit të tij në rrjet dhe lidhjeve të pretenduara me përhapjen e dezinformimit në favor të Kremlinit. Edhe autoritetet britanike e kanë identifikuar “Rybar”-in si një nga aktorët e operacioneve ruse të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj.
Sipas Pobjeda-s, hetimet pritet të sqarojnë shtrirjen e veprimtarisë së rrjetit në Mal të Zi, strukturën e tij organizative dhe lidhjet e mundshme me qendra të huaja të ndikimit.
Deri në publikimin e informacioneve zyrtare nga policia dhe prokuroria, pretendimet për veprimtarinë e të arrestuarve mbeten pjesë e raportimeve mediatike dhe hetimeve në zhvillim.