×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Medical Group” dënohet 15 herë brenda ditës pasi s’i dërgoi me kohë barërat në QKUK

    Insajderi
    27 September 2022 - 15:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania “Medical Group” e cila ishte denoncuar për furnizimi me oksigjen të palicencuar, tash është gjobitur nga shteti. Kjo për faktin se kompania e biznesmenit Skënder Kutllovci nuk i dërgoi me kohë barnat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të cilat ishte kontraktuar nga ShSKUK-ja, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vetëm gjatë këtij viti, kompania farmaceutike “Medical Group”, është dënuar me plot 4 mijë e 294 euro, për vonim të barnave.

    Kompania e biznesmenit Kutllovci, vetëm në ditën e 26 gushtit, ishte dënuar plot 15 herë nga ShSKUK-ja për mosliferim të mallit.

    Në listën e fundit të gjobave të publikuara nga ShSKUK-ja, kompania ”Medical Group” mësohet se ishte vonuar në sjelljen e injeksionit ‘Carboplatin’.

    Ky medikament përdorët kryesisht për disa lloje të kancerit, thotë Arianit Jakupit, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës për Gazetën Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka siguruar listën e plotë të kompanive farmaceutike, të cilat kanë bërë vonesa në furnizim me barna dhe material shpenzues.

    Dokumentari ‘Indoks” i realizuar nga Gazeta Insajderi kishte raportuar për kompanitë që kishin sjell oksigjen të palicencuar në Kosovë, gjatë kohës së pandemisë.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në kompaninë “Medical Group” për të kuptuar se cila ka qenë arsyeja e vonesës së furnizimit me barna, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.

    “Medical Group” u denoncua për furnizim me oksigjen të pa licencua të ShSKUK-së

    Kompania “Medical Group”, e autorizuar nga kompania italiane “Sol Spa Italy” furnizoi Kosovën me oksigjen i cili merrej nga shteti fqinj, Maqedonia e Veriut. Por, kishte dyshime që për një veprimtari të tillë nuk ka leje.

    Kompania që ka pasur hisen kryesore për furnizim me oksigjen të lëngshëm të ShSKUK-së është kompania “Medical Group” pronë e biznesmenit Skënder Kutllovci, i autorizuari i kompanisë italiane “Sol Spa Italy”. 

    Në mars të këtij viti kundër  “Sol” në Inspektoratin Farmaceutik është deponuar një denoncim, dyshime për vet validitetin e letrave të tij, gjë që paraprakisht është njoftuar Agjencia për Produkte Medicinale.

    Te organet shtetërore denoncuesi thotë që “Sol Spa Italy” posedon Marketing Autorizimin pranë AKPM dhe ndërkohë ka regjistruar si variacion edhe piken në Maqedoninë Veriore nga edhe ku behet importi i oksigjenit medicinal në Kosovë. Sipas pretendimeve të denoncuesit, pika në Maqedoninë Veriore nuk posedon Autorizim Prodhimi nga institucionet e Maqedonisë për prodhim te Oksigjenit Medicinal.

    Denoncuesi përmend që kompania lokale e ndërlidhur me “Sol Spa Italy”, kompania TGS në të gjitha ofertat për furnizim me oksigjen të institucioneve shëndetësore në Maqedoni nuk aplikon me autorizim të vetë maqedonisë, por me Autorizim nga Bullgaria e Greqia.

    Denoncimi thellohet duke kontestuar edhe vetë regjistrimin e këtij varaiacioni të oksigjenit në Kosovë me një dokument të Rregullatorit anglez të medicinës e kujdesit shëndetësor.

    Me këtë dokument të këtij institucioni anglez ishte regjistruar në Kosovë ky variacion i oksigjenit me të cilin u furnizuan spitalet, por denoncimi thotë se ai dokument nuk gjendet në bazën e të dhënave të po këtij institucioni.

    Madje e tillë është edhe përgjigja me e-mail që rregullatori i kujdesit shëndetësor ka kthyer po për këtë dokument me të cilin AKPM-ja në Kosovë ka licencuar variacionin e oksigjenit që u soll nga Maqedonia e u përdor në Kosovë.

    Krejt këto  dyshime i ka marrë në shqyrtim Inspektorati Farmaceutik i Kosovës.  Nuk po merret vet me to- e ka marrë me vete edhe Policinë.

    “Inspektorati Farmaceutik në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke kryer inspektime në të gjitha subjektet që operojnë me oksigjen medicinal. Në të gjitha subjektet ku janë takuar parregullsi janë marrë masa konform legjislacionit në fuqi. Për të gjeturat është duke u njoftuar Policia e Kosovës në vazhdimësi, dhe Agjencia e Kosovës  për Produkte dhe Pajisje Medicinale për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Inspektoratit për InDoks.                       

    “Në rastet ku janë gjetur parregullsi, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, për vazhdim të mëtutjeshëm të hetimeve”, thuhet tutje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark