×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Mehmeti, Murati dhe Spanca hedhin fajin tek njëri-tjetri për mosemërimin e Bordit të Trustit, derisa humbjet vazhdojnë e thellohen

    Insajderi
    24 March 2023 - 19:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka ftuar për raportim Komisionin Përzgjedhës për Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se përkundër e-maileve që u ka dërguar ministrit të Financave Hekuran Muratit dhe Auditores së Përgjithshme, Vlora Spancës nuk ka marrë përgjigje.

    Ai tha se është fakt që pozitat janë të përcaktuara nga komisioni përzgjedhës sipas Ligjit për Fondin për Kursime Pensionale të Kosovës.

    “Më 10 mars 2022 unë kam pranuar një e-mail nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ku bëjnë me dije se janë dy pozita vakante, pastaj në funksion të zbatimit të kompetencave të guvernatorit dhe procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit drejtues të Fondin për Kursime Pensionale të Kosovës, janë ndërmarrë veprimet si më poshtë, më 14 mars domethënë pas 4 dite, prej që e kam pranuar letrën prej Fondit për Kursime Pensionale, përmes e-mailit i jam drejtuar ministrit të Financave dhe Auditores së Përgjithshme ku kam kërkuar pëlqimin e tyre për ta autorizuar organin drejtues të Fondit për Kursime Pensionale, që të shpallë konkursin për plotësimin e dy pozitave vakante të atëhershme në bordin drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”.

    “Pas dërgimit të e-mailit kam qenë në pritje të përgjigjes zyrtare nga ministri dhe auditorja e përgjithshme, pasi nuk kam pranuar asnjë përgjigjje nga të dy anëtarët e tjerë që nga kërkesa e datës 14 mars 2022”, tha Mehmeti

    “Me datë 24 tetor 2022 përseri përmes e-maili i jam drejtuar ministrit dhe auditores së përgjithshme për dy anëtarë, por e kam potencuar se mund të jenë edhe anëtarët tjerë”, tha Mehmeti.

    Lexo edhe:

    Ndërkaq Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se katër ditë pas marrjes së e-mailit të datës 24 tetor i ka kthyer përgjigje Mehmetit.

    “Më duhet t’i sqarojë disa çështje. Sa i përket ftesave, guvernatori ka deklaruar se ka bërë 3 ftesa për takim, mirëpo unë nuk e kam pranuar ftesën me datën 14 mars. Më datë 24 me është bërë prapë një pëlqim qe të vazhdojë konkursi, pas 4 ditësh ia kam kthyer e-mailin. Si auditore e përgjithshme kam qenë në një pozitë jo të mirë”, tha Spanca.

    Trusti: Institucioni është në gjendje të vështirë, humbjet janë milionëshe

    Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është deklaruar për humbjen e kursimeve të qytetarëve të Kosovës.

    Në një përgjigje për Gazetën Insajderi ky institucion ka thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.

    Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por ishte zgjatur edhe për tre muaj.

    Konkursi ishte shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit, ka thënë se janë duke i ndjekur diskutimet publike për gjendjen e investimeve, dhe ka zbuluar për Gazetën Insajderi humbjet që ky institucion i ka pasur këto ditë, duke sqaruar se mjetet nën menaxhim trajtohen në dy portofole investuese: 1. Portofolin Standard (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit deri në moshën 63 vjeçare)2. Portofolin Konservativ (ku përfshihen të gjithë kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e më shumë).

    “Mjetet e kontribuuesve të Portofolit Standard kanë në përbërje investimet që kanë kthim potencial dhe risk më të lartë, andaj edhe kanë luhatshmëri më të lartë. Për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta. Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro”, thotë Demi për Gazetën Insajderi.

    “Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët. Ky është edhe portofol nga i cili pensionohen kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e lartë, te cilët nuk prekën nga luhatjet në tregjet financiare dhe edhe në këto kushte kanë kthim pozitiv për vitin 2023. Kjo është edhe kategoria më e ndjeshme në këso situata, dhe kjo zgjidhje ka dhënë efekt shumë të kënaqshëm”, ka sqaruar ai për Gazetën Insajderi.

    Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë.

    Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare, shkrun Gazeta Insajderi.

    Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.

    Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

    Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kushtet për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark