Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se beson se vrasja e 12 njerëzve nga një person që ka përplasur kamionin me shpejtësi të lartë ndaj tyre, ka qenë “sulm terrorist”.
Ngjarja ka ndodhur të hënën mbrëma, në një treg të Krishtlindjeve në Berlin.
“Ka shumë gjëra që nuk i dimë me shumë siguri, por, tani për tani, duhet ta vlerësojmë si sulm terrorist”, tha Merkel.
Në sulm janë plagosur edhe 50 persona të tjerë.
“Do të ishte veçanërisht e vështirë për të gjithë ne nëse konfirmohet se personi që ka kryer këtë akt, është dikush që ka kërkuar mbrojtje dhe azil”, tha Merkel.
Duke cituar burime gjermane të sigurisë, mediat perëndimore raportojnë se i dyshuari kryesor është një migrant, 23 vjeç, nga Pakistani, i cili ka jetuar në një strehimore për refugjatët në Berlin.
Personi, i cili, sipas policisë, ka qenë shoferi i kamionit, është arrestuar pranë tregut, derisa ka bërë përpjekje të ikë nga vendi i ngjarjes.
Sipas disa njoftimeve, ai ka hyrë në Gjermani vitin e kaluar.
Merkel, për kohë të gjatë, është kritikuar për vendimin e saj në vitin 2015 që të pranojë në Gjermani një milion migrantë – shumica nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Shumë gjermanë e shohin integrimin e tyre si sfidën më të madhe për vendin.
Policia gjermane ka gjetur edhe një person në ulësen e pasagjerit të kamionit që është përdorur në sulm. Ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, pavarësisht përpjekjeve mjekësore për ta shpëtuar.
Policia gjermane tha se është duke punuar mbi supozimin se kamioni, me targa të Polonisë, është vjedhur.
Transmetuesi polak TVN 24 tha se ai i përkiste një kompanie të kamionëve në Poloni.
Pronari i kompanisë, Ariel Zurawsi, u tha mediave se shoferi i kamionit, kushëri i tij, ka transportuar çelik në Berlin dhe se tani është zhdukur.
“Ata mund t’i kenë bërë diçka shoferit tim”, tha Zurawski.
Incidenti ka bërë që Franca, e cila është përballur me një sulm të ngjashëm me kamion, në muajin korrik, të forcojë sigurinë në tregjet e Krishtlindjeve në gjithë vendin.
Shtëpia e Bardhë e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar si të tmerrshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një alarm udhëtimi për Evropë, në muajin nëntor, duke paralajmëruar amerikanët për “rrezik të madh” nga sulmet terroriste, sidomos gjatë sezonit të festave.
Pas incidentit të së hënës në Berlin, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkaura, Donald Trump, fajësoi “terroristët islamikë”, pa përmendur prova.
“Këta terroristë dhe rrjetet e tyre rajonale dhe globale duhet të zhduken nga faqja e Tokës. Këtë mision do ta kryejmë me të gjithë partnerët liridashës”, tha Trump.