Kanë kaluar jo pak, por gati 10 vite kur rrethit të ngushtë të miqve, artistja e njohur Rozana Radi i prezantoi të dashurin e saj. Bëhej fjalë për një djalë jo nga bota e artit, por me sensin e humorit të babait të saj, aktorit tashmë të ndjerë, Ferdinand Radit.
I zgjedhuri i saj quhet Shpëtim Karakushi dhe punon si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, lidhje me të cilin Rozana u përpoq ta mbante të fshehtë tre vitet e para. Flitej në rrethe artistësh se Rozana ishte lidhur me një djalë simpatik, por ndërkohë Rozi shfaqej mjaft e rezervuar dhe nuk dilte në publik me të.
Por në nëntor të vitit 2015, ajo u pa në Panairin e Librit në shoqërinë e Shpëtimit ku u fotografua nga paparazzi i “Panorama Plus”, ku u publikuan dhe detaje mbi të zgjedhurin e Rozanës. Më pas u fotografuan dhe në plazhin e Dhërmiut, si dhe gjatë netëve të Festivalit në RTSH, paparazzi ynë fotografoi përsëri Rozanën me Shpëtimin, dëshmi këto se lidhja e tyre ishte konsoliduar edhe me bashkëjetesë.
ImageFOTO GALERI
Gjatë kësaj periudhë Rozana është pyetur shpesh nga ndjekësit në rrjetet sociale se pse nuk po martohet dhe ajo u është përgjigjur se nuk i pëlqen të bëjë plane. Por këto ditë ndryshe nga ç’ndodh zakonisht me personazhet publikë, ka qenë ajo vetë që i ka hedhur benzinë zjarrit, duke lënë të dyshohet se ajo mund t’i ketë dhënë fund lidhjes prej një dekade me oficerin e Policisë.
Në fillim e nisi me disa statuse kur nënkuptohej trishtimi, ndërkohë që në programin “Boom” i deklaroi mikeshës dhe koleges së saj, Fiori Dardha, se ajo tashmë është single. Në emisionin investigativ “Boom”, këngëtarja dhe moderatorja Rozana Radi gjatë emisionit iu drejtua Fiori Dardhës, duke i thënë se është beqare dhe tashmë do dalë për darkë me ministrin Arben Ahmetaj në Turqi.
Fiori vijonte më tej duke i thënë që të paktën të shkojë në Dubai, teksa shton se as single nuk di të jetë.
“Jam ndarë me të dashurin dhe e kam humbur fare. Duartrokisni! Bravo! Faleminderit! Jam single dhe e sigurt!”, shprehet Rozana, ndërsa e pyetur nga Fiori “Si ndodhi?”, ajo vazhdoi: “Si rrufe në qiell të hapur. Do ta festojmë edhe do ha një darkë me Arben Ahmetajn në Turqi”.
Disa ndjekës e komentuan si një shaka, të tjerë i kujtuan se shakaja është gjysma e së vërtetës dhe të tjerë janë të bindur se Rozana është ndarë me të vërtetë, pasi pak a shumë ka ditë që jep sinjale të tilla me anë të postimeve të saj. Para disa ditësh, ajo postoi një foto, sipër së cilës shkruante “Sono libera” (Jam e lirë).
Ndërsa gjatë një bashkëbisedimi virtual me ndjekësit në “Instagram”, këngëtarja u pyet se çfarë i mungon më së shumti dhe ajo iu përgjigj: “Do ta thosha, por fatkeqësisht s’do e ndryshoja realitetin. Kam dhe unë pengjet e mia. Jeta më ka mësuar të jetoj me mungesa njerëzish të dashur”.
Më pas, ajo publikoi një foto të familjes së saj, ku mungonte i fejuari dhe u shpreh se për sa kohë t’i ketë në krahë, asgjë tjetër s’do t’i mungojë në jetë. “Kjo është familja ime! Sa të kem Zotin para dhe familjen, s’do më mungojë asgjë tjetër në jetë!”, u shpreh këngëtarja.
HISTORIA E VEÇANTË E ROZANËS ME PARTNERIN JASHTË ARTIT, NGA NJOHJA DERI TE FEJESA SEKRETE
Nisur nga këto detaje ndjekësit e vëmendshëm kanë ngritur dyshime se ç’ka ndodhur me lidhjen e saj me Shpëtim Karakushin, me të cilin në gusht të vitit 2018-të ajo zyrtarizoi lidhjen disavjeçare me fejesë.
Aq më tepër që verën e vitit të kaluar, në një intervistë në “Instastory” me fansat e saj, Rozana jo vetëm që konfirmoi se do t’i japë fund beqarisë, por tha se dasma do të ndodhë më shpejt nga ç’e kemi pritur. Rozana, e cila këto vite i ka hyrë biznesit, ka folur dhe në ekran për historinë e saj të bukur.
Kështu, e ftuar te “Rudina”, Rozana pohoi se i dashuri i saj punon në Prokurori, por nuk është prokuror. Nuk zbuloi shumë të dhëna për marrëdhënien e saj, por një detaj të cilin Rozana e veçoi për të dashurin e saj me profesion oficer policie, tha se ai ka sens humori njësoj si i ati i saj.
“Po, jam në një lidhje dhe nuk e mohoj. Ne kemi disa vite që njihemi. Jam njeri me këmbë në tokë dhe po jetoj jetën. Ai është njeri me sens humori. Te 70%, ai ka karakterin e tim eti. Nuk jam njeri që bëj plane, por nuk kam marrë një propozim, e pres dhe besoj se është normale. Ne nuk i ndërhyjmë njëri-tjetrit te gjërat shumë personale”, tha Rozana para pak vitesh.
Por gjatë këtyre viteve nuk kanë munguar dhe deklaratat e saj të dashurisë, duke qenë se është një mjeshtre e fjalës, dhunti që e ka treguar me tekstet e saj.
Kështu bëri gjatë një udhëtimi vere në Itali, ku shfaqej shumë romantike ndërsa shfaqej e kapur për dore me partnerin e saj. Nuk dihet në cilat rrethana ata janë njohur, pasi profesionet i kanë diametralisht të kundërta, por e rëndësishme ka qenë përputhshmëria e tyre si çift simpatik. Qetësia që i dha jeta private, reflektohej edhe në karrierën e saj.
Rozana ka mbi 20 vite karrierë, por sidomos vitet e fundit ajo shpalosi gjithë dimensionin e saj si artiste. Përveçse si këngëtare, e kemi parë të luajë në teatër, ka bërë shumë tekste këngësh, ka treguar në spektakle të ndryshme aftësitë për të bërë show, falë imitimeve që bën, bën moderatoren dhe biznesmenen e sukseshme.
Për këtë arsye, Rozana është gjithnjë e përzgjedhura e formateve televizive, sepse spektakli që ajo do dhurojë, është diçka e garantuar. Sa i përket jetës jashtë kamerave, artistja shfaqet shumë në formë, kjo falë edhe kujdesit që ajo tregon vazhdimisht për linjat. Në lidhje me Shpëtimin, të vërtetën absolute jashtë kamerave presin ta thotë vetë Rozana!