Erblin Hoxha
Gjendja e arsimit vazhdon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha në vend. Kosova radhitet në fund të listave të indikatorëve të kualitetit në arsim, siç janë Testi i Arritshmërisë dhe Testi PISA . Problemet e ndryshme, si librat e papërshtatshëm, planprogramet e komplikuara, mungesa e teknologjisë në klasa dhe infrastruktura e dobët, e përcjellin arsimin në Kosovë tash e 20 vjet.
Partitë politike, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, si dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, e theksojnë rëndësinë e përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë. Mirëpo, edhe pse kjo çështje na prek të gjithëve, pa dallim, shumë pak është bërë që gjendja të përmirësohet. Arsimimi adekuat i gjeneratave të reja është siguri për një të ardhme të ndritur, ndaj është e çuditshme dhe shqetësuese kjo moskokëçarje për një çështje kaq të rëndësishme.
Përderisa arsimi për së paku 10 vjetët e fundit ka qenë prioritet i çdo qeverie, rezultatet pozitive në këtë drejtim mungojnë. Në 10 vitet e fundit, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 20 për qind, ndërsa logjika e investimit në arsim kryesisht është e lidhur me investim infrastrukturor dhe është bërë shumë pak në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.
E marrim shembull Komunën e Kamenicës ku në 10 vjetët e fundit numri i nxënësve ka rënë pothuajse përgjysmë. Komuna ka bërë analizë të gjendjes në terren dhe ka dalë me shifra alarmante: nga gjithsej 29 shkolla, 15 shkolla nuk kanë kabinete të informatikës; 26 shkolla nuk kanë kabinete të kimisë, të biologjisë, të fizikës e të gjuhëve të huaja; 24 shkolla nuk kanë salla të brendshme sportive; tetë shkolla nuk kanë tualete funksionale; 11 shkolla nuk kanë mjedis higjienik; 10 shkolla nuk kanë hapësira rekreative; asnjë shkollë nuk ka qasje për nxënësit me nevoja të veçanta.. plot 25 nxënës nuk kanë as edhe një shok apo shoqe në klasë, pra janë vetëm, ndërsa 19 nxënës të tjerë kanë vetëm një shok apo një shoqe në klasë. Faktet e fundit jo vetëm që dëmtojnë nxënësin për shkak të mungesës së konkurrencës në klasë apo shkëmbimit të mendimeve dhe zhvillimin e aftësive sociale, por kjo ndikon edhe në metodat e mësimdhënies.
Mbajtja e kësaj strukture shkollore, për Komunën e Kamenicës ka kosto të madhe financiare. Komuna çdo vit paguan rreth 1.5 milion euro nga të hyrat vetanake për mësimdhënësit dhe mbështetjen logjistike të shkollave, ndërsa buxheti për investim është më pak se 50 mijë euro në vit. Pra, një komunë e vogël si kjo e Kamenicës – me nevoja për investime në infrastrukture, bujqësi dhe blegtori, mbështetje të bizneseve të vogla apo investimi në rritjen e kapaciteteve turistike – minohet nga shpenzimet e larta në paga dhe shërbimet për mirëmbajtjen e këtij sistemi të shkollave. Nëse Komuna nuk do të ndërmerrte masa në aspektin e planifikimit dhe investimit strategjik, kjo do të përbënte dështim institucional dhe keqmenaxhim të parasë publike.
Kështu, Kamenica mobilizohet që të gjejë zgjidhje e cila do të sigurojë edukim adekuat për fëmijët, përderisa takimet me banorë, mësimdhënës, nxënës dhe prindër janë të vazhdueshme. Komuna gjithashtu konsultohet me ekspertë të ndryshëm të kësaj çështje dhe propozon një zgjidhje e cila ka për qëllim edukimin dhe shkollimin e fëmijëve dhe që ofron shanse më të mira për një të ardhme më të sigurt dhe mundësi më të mira për jetën. Fëmijët do të udhëtojnë nga fshatrat e tyre në shkollat e përbashkëta ku ata së paku do të jenë pjesë e klasave me së paku 20 nxënës. Në takimet me banorët dhe prindërit diskutohet se cila është zgjidhja më e mirë, si do të organizohet transporti i tyre dhe si të bëhet organizimi më i lehtë i procesit. Të gjithë pajtohemi që kjo çështje është e rëndësisë së veçantë dhe përfitimet e kësaj nisme janë përtej përfitimeve personale afatshkurtra të një grupi të vogël të nxënësve të cilët nuk kanë asnjë shok apo shoqe për ti këmbyer mendimet.
Po vjen 1 shtatori dhe të gjithë angazhohen që kjo nismë të jetë e suksesshme. Secili e ka të qartë detyrën dhe përgjegjësinë e tij/saj. Kështu, një çështje që ishte shqetësim i të gjithëve, po zgjidhet dhe, tani të gjithë angazhohen që të përmirësojnë kushtet e mësimit si dhe të ndihmojnë me çfarë munden. Kështu përfitojnë nxënësit që tani do të kenë shokë dhe shoqe në klasë, por edhe prindërit e mësimdhënësit të cilët nuk do të detyrohen të kenë dy apo tre ditarë të ndryshëm brenda një ore.
Por, shumë banorë dhe prindër po e refuzojnë këtë ndryshim; mësimdhënësit janë të zëshëm kundër riorganizimit të shkollave; ndërsa përfaqësuesit e tyre, SBASHK-u, kërcënojnë me grevë dhe masa tjera më të ashpra. Realiteti të godet aq fort sa që ti fillon t’i bësh pyetje vetes: Pse nuk mund të pajtohemi për asgjë? Pse nuk është e mundur të zgjidhen problemet më thjeshtë? Pse është kaq e vështirë të pajtohemi për të mirën e përgjithshme? Pse ndryshimi vjen kaq vështirë? E, për t’iu përgjigjur këtyre pyetje, duhet t’i shikojmë disa aspekte.
Është në natyrën tonë njerëzore t’ju rezistojmë ndryshimeve edhe atëherë kur ndryshimi është i nevojshëm. Duke e mbrojtur interesin tonë afatshkurtër po rrezikojmë që e ardhmja jonë të jetë edhe më e pasigurt. Në të njëjtën kohë, frika nga ndryshimi është edhe mosbesim në kolektivitet. Ky mosbesim vjen si pasojë ose e përvojave të hidhura paraprake, por edhe si pasojë e mungesës së mendimit kritik për të vlerësuar një politikë publike në aspektin afatgjatë. Në të njëjtën kohë, mendoj që kjo mendësi na është krijuar pikërisht nga shkollimi i cekët që kemi marrë gjatë viteve dhe nga mos kultivimi i ndjenjës shoqërore/kolektive. E, janë disa aspekte të cilat tërthorazi na kanë indoktrinuar për të menduar në këtë mënyrë: politika dhe shoqëria civile. Kur flas për politikën, i kam në mendje partitë politike, mirëpo edhe individët udhëheqës të institucioneve të cilët përgjatë viteve kanë ndikuar në narracionin “ne” dhe “ata”. Ndërsa, kur flas për shoqërinë civile e kam në mendje fillimisht SBASHK-un, e gjithashtu edhe grupet tjera të interesit që kanë kontribuar keq për këtë gjendje.
Partitë politike e kanë shfrytëzuar arsimin si vatër të punësimeve partiake. Kjo ka bërë që ne sot të përballemi me një arsenal të mësimdhënësve jokompetentë të cilët refuzojnë çdo ndryshim. Kështu, diskutimi publik mbushet me informata të rreme e me një mjegull të madhe të paqartësive që shpeshherë i detyrojnë vendimmarrësit të tërhiqen nga vendimet “jopopullore”. Kjo qasje lidhet direkt edhe me strategjinë e komunikimit politik që bazohet në “premisën” se qytetarët janë injorantë dhe se nuk dinë të mendojnë në mënyrë kritike. Prandaj, komunikimi politik duhet të ketë për bazë injorancën dhe fjalimet duhet të përshtaten me atë që ata dëshirojnë të dëgjojnë e jo atë që duhet ata ta dinë. Si pasojë e kësaj, shohim edhe premtime absurde e të parealizueshme. Edhe grupet e ndryshme të interesit dhe organizatat e shoqërisë civile, si SBASHK-u, e shfrytëzojnë strategjinë e njëjtë të komunikimit. Në çështjen e Komunës së Kamenicës, SBASHK-u nuk krijon asnjë linjë të komunikimit dhe të zgjidhjes së problemit, duke insistuar se asnjë shkollë nuk duhet të mbyllet edhe nëse mësimi në klasa bëhet me vetëm një nxënës. A është SBASHK-u aq e gjithanshme sa që përveç përfaqësimit të mësimdhënësve të dijë më së miri se si duhet të organizohet sistemi i shkollave në çdo komunë? Sa nxënës duhet të jenë për klasë? Si duhet të veprojnë komunat me problemet e tyre të brendshme në aspektin e arsimit dhe çështjet tjera të ngjashme? Apo SBASHK-u duhet të sigurohet që mësimdhënësit t’i kenë kushtet dhe mundësitë për të ngritur nivelin e mësimdhënies?
Kjo qasje ndikon direkt në besimin institucional. Kështu, sipas Studimit për Rininë, 2018/2019 – të organizuar nga FES-i – ka nivel rekord mosbesimi dhe apatie te të rinjtë ndaj të gjitha institucioneve politike, veçanërisht ndaj partive politike. Për më tepër, ka një skepticizëm të madh ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Në po të njëjtin hulumtim, vetëm rreth 10 për qind e të rinjve besojnë se interesat e tyre përfaqësohen si duhet në institucionet shtetërore, ndërsa gati gjysma e tyre nuk e shohin të ardhëm e tyre në Kosovë.
Pra, si pasojë e mungesës së vendimmarrjes për të mirën e përgjithshme dhe si pasojë e komunikimit politik populist, të rinjtë nuk besojnë në institucionet shtetërore. Kjo është shqetësuese. Arsimi është një nga ato fusha ku nuk duhet bërë kompromise. Institucionet shtetërore duhet ta ndërrojnë qasjen ndaj arsimit, duke filluar përmes depolitizimit të sistemit. Ristrukturimi i shkollave, reduktimi i mësimdhënësve dhe shkollave siç ka filluar në Komunën e Kamenicës, duhet të zbatohet në tërë vendin. Për ta ngritur nivelin e mësimdhënies, së pari duhet të sigurojmë kuadrot më të përgatitura e pastaj të punojmë me ta që ti’ bashkërendojmë përpjekjet për të mirën e përgjithshme. Gjithashtu, Qeveria duhet të krijojë një linjë konstruktive të komunikimit me SBASHK-un që të sigurohet një “rrjetë e sigurisë” për mësimdhënësit të cilët nuk do të jenë të nevojshëm në arsim e që duhet të risistemohen në shoqëri.
Pas pothuajse tri viteve të përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Komunën e Kamenicës, ne e kemi këtë gjendje:
– Rreth 441 nxënës nuk e vijojnë mësimin për shkak të kundërshtimeve nga prindërit e tyre (fëmijët jo vetëm që nuk pyeten, por as interesat e tyre nuk përfaqësohen);
– Nismëtarët e riorganizimit të shkollave kërcënohen dhe akuzohen vazhdimisht si “antishqiptarë” që kanë për qëllim shkatërrimin e sistemit të edukimit në Kosovë;
– Përgjatë tre vjetëve, ministrat e Arsimit nuk janë në gjendje të kuptojnë se cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore. Përkundër fjalëve publike se riorganizimi i shkollave në nivel vendi është I domosdoshëm dhe i pashmangshëm, Ministria e Arsimit nuk e ka nisur asnjë proces të analizimit të çështjes apo të ofrimit të mbështetjes për komunat për nismat e tilla;
– Partitë politike, zyrtarët publikë e grupet tjera të interesit ende vazhdojnë ta pengojnë një nismë të tillë veç për interesa personale afatshkurta e në dëm të fëmijëve.
Si është e mundur që një nismë e tillë (e domosdoshme për fëmijët, që ndihmon komunën në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, si dhe mësimdhënësit) të kundërshtohet kaq ashpër dhe të bëhet politikë pa asnjë llogaridhënie?
(Erblin Hoxha është drejtor ekzekutiv në Debate Center dhe një nga kontribuuesit vullnetar në mbështetjen e Komunës së Kamenicës në procesin e riorganizimit të shkollave në kuadër të Asociacionit të Alumnit të Liderëve Transformues (TLP-AA). Ka përfunduar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në Universitetin e Teksasit ka mbaruar masterin për Ekonomi Politike Ndërkombëtare)