Mijëra studentë kanë lënë orët e mësimit për të protestuar kundër presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, duke vazhduar protestat edhe në javën e dytë.
Rajoni i Los Angeles-it numëroi rreth 4 mijë studentë pjesëmarrës në protestë, që brohoritën “JO Presidenti im”, për shkak të planeve të Trumpit për të dëbuar imigrantët e paligjshëm dhe për të ndërtuar murin ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.
Zyrtarët e arsimit në Seattle thanë se rreth 5 mijë studentë të shkollave të larta dhe nxënës të shkollave të mesme, rreth 10 për qind e studentëve të këtij distrikti, dolën në rrugë.
Qindra studentë të tjerë, marshuan në protestë në Portland, Oregon, Montgomery County, Maryland, Denver dhe në rajonin e San Franciscos, thanë autoritetet.
Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në qytete nga New Yorku deri në Los Angeles në tubimet përgjithësisht paqësore që prej fitores së Trump ndaj demokrates Hillary Clinton, më 8 Nëntor. Trump siguroi vota të mjaftueshme në Kolegjin Zgjedhor prej 538 anëtarëve për të fituar presidencën.
Protestuesit kanë dënuar sulmet ndaj grave që bartin shami të kokës, grafitet raciste dhe ngacmimin e fëmijëve imigrantë.
Trump në një intervistë në CBS tha se ishte “i mërzitur” me incidentet e tilla dhe ju bëri thirrje kryesve të akteve të tilla “të ndalojnë”.