×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Milionat që nuk po e ndalin degradimin e trashëgimisë

    Insajderi
    06 February 2016 - 09:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qendra Historike e Prizrenit është e degraduar në një masë të frikshme. Nësë e përdorim analogjinë e situatave të konfliktit për trashëgiminë kultutore, Qendra Historike i ngjan një zonte lufte. Paradoksalisht, qendra e qytetit ka numër tejet të madh mekanizmash ligjor e institucional që synojnë mbrojtjen e saj. Prej ligjit të veçantë të miratuar nga Kuvendi, Planit të Konservimit të miratuar nga Komuna, Task Forcës së qeverisë qendrore për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e deri te Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Këshilli për Trashëgiminë Kulturore, kjo qendër posedon një mori garancash. Por, edhe përkundër kësaj, zona e parë e qytetit vazhdon të pësojë nga aktivitetet degraduese, si rezultat i veprimit të grupeve të fuqishme ekonomike dhe neglizhencës vepruese nga institucionet. Për ta bërë këtë situatë edhe më të rëndë, as investimet milionëshe të buxhetit të shtetit dhe donatorëve ndërkombëtarë për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë nuk po e ndalin trendin e degradimit.

    Në hulumtimin e fundit të organizatës EC Ma Ndryshe është konstatuar se gjatë dekadës së fundit, janë shpenzuar rreth 3 milionë euro në dhjetë projekte restauruese të monumenteve në Prizren. Për fat të keq, kjo shumë marramendëse e investuar në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka prodhuar vetëm realitetin e dyerve të mbyllura. Në total, këto dhjetë monumente të restauruara i kanë dyert e mbyllura për vizitorë dhe komunitetin lokal afro 350 muaj. Rrjedhimisht, edhe përfitimi nga aktiviteti eventual ekonomik i këtyre monumenteve është 0 euro. Përveç dobisë ekonomike, këto monumente të mbyllura nuk po i shërbejnë as qëllimeve jo-ekonomike të trashëgimisë kulturore. Përfundimisht, këto investime nuk kanë arritur të prodhojnë rezultat të dëshiruar dhe domosdoshmërisht imponojnë nevojën për të rimenduar qasjen. Shpenzimi i parasë së taksapaguesit vendor ose të një shtetit tjetër duhet të ndjekë një logjikë të artikulimit të ndikimit të dëshiruar. Edhe në praktikën e mirë botërore, intervenimi fizik për qëllime të mbrojtjes së monumenteve, nuk është rezultat e ndikim i mjaftueshëm. Për arsye se, një monument i restauruar, por që rri i mbyllur dhe nuk e integron komunitetin, përbën një investim të vdekur dhe i kontribuon degradimit të mëtejshëm të atij monumenti.

    Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara viteve të fundit ka edhe raste tejet groteske. Disa nga këta shembuj janë Hamami i Gazi Mehmed Pashës, ndërtesa e Kuvendit të vjetër – Beledija, Selamllëku i Shani Efendiut dhe Shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut. Në rastin e Hamamit, institucionet e patën nisur restaurimin pa i siguruar të gjitha fondet e nevojshme dhe si pasojë punimet u patën ndërprerë në fund të vitit 2014. Prej asaj kohe, monumenti vazhdon të mbetet i cënueshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe në dy raste të identifikuara deri tani atij i është vjedhur plumbi nga kupolat. Në rastin e Beledijes, një intervenim restaurues me fonde ndërkombëtare kishte për synim funksionalizimin e ndërtesës si Qendër e parë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Sot, këtë ndërtesë e shfrytëzon Drejtoria e Turizmit e Komunës së Prizrenit dhe ajo asnjëherë nuk ka funksionuar si qendër e trashëgimisë. Në një rast tjetër, kishin investuar dy donatorë të ndryshëm ndërkombëtar, njëri intervenim me qëllim restaurimi dhe tjetri me qëllim themelimin e një zyre informative për turistët. Edhe pse e pajisur plotësisht me inventar dhe me publikime promovuese, kjo zyre informative qëndron e mbyllur për afër shtatë muaj, si pasojë e paaftësisë së komunës për të punësuar personel. Edhe rasti i Shtëpisë së Shuaip Pashë Spahiut është dështim i llojit të vet. Përveç problemeve të pronësisë, atij i janë dhënë destinime të ndryshme, ndërsa i fundit ishte ai për të akomoduar Akademinë Diplomatike të Kosovës. Kjo shtëpi, që nga përfundimi i punimeve, asnjëherë nuk i ka hapur dyert, ndërsa me kohë, asaj i janë dëmtuar pjesë të caktuara të fasadës.

    Si parakusht themelor, çdo intervenim në monumentet e trashëgimisë kulturore duhet të sigurohet për hartimin e planit të menaxhimit për ta planifikuar fazën e post-intervenimit. Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara, vetëm njëri prej tyre posedon plan menaxhimi. Paralelisht me realizimin e punimeve restauruese, duhet të krijohen grupe punuese për hartimin e planeve të menaxhimit dhe planifikimin e funksionalizimit të monumentit. Fokusi kryesor i donatorëve, qofshin vendor apo ndërkombëtar, duhet të jetë në përfshirjen e komunitetit për mbajtjen gjallë të monumenteve, qoftë në formë të vizitave të turistëve, zbatimit të programeve edukative, krijimit të hapësirave muzeale apo edhe krijimit të hapësirave të shfrytlzueshme për nevojat e komunitetit lokal. Për më tepër, programimi i fondeve që synojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet t’i përgjigjet një plani të përgjithshëm të nevojave dhe prioriteteve në trashëgiminë kulturore, duke e ndërprerë praktikën e deritashme të veprimeve ad-hoc dhe të pakoordinuara.

    Qendra Historike e Prizrenit ka nevojë për shumë investime në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Por, asaj përfundimisht nuk i duhen milionat e çuar huq që prodhojnë monumente të mbyllura. Trashëgimia kulturore dhe turizmi janë potenciale reale zhvillimore të Prizrenit, ashtu si konstatohet edhe me Planin Zhvillimor të Komunës. Dhe për të përfituar nga ky potencial, fokusi i fondeve duhet të shkojë përtej intervenimit fizik në monumente.

    EC Ma Ndryshe

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark