Njësia e Auditimit të Brendshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës ka gjetur një numër të madh parregullsish në tenderët milionësh me kompaninë “Rojet e Nderit” e cila është e angazhuar për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK’ut. Gazeta Insajderi ka arritur që të shoh raportin e auditorit në të cilin janë shkruar shkelje të rënda që kompania e themeluar nga milioneri Kushtrim Krasniqi ka bërë ndaj punëtorëve. Kjo ka bërë që rrogën prej 400 euro, të mos e marrin për muajin janar rreth 300 punëtorë të kësaj kompanie. Insajderi sjell ekskluzivisht raportin.
Rreth 300 punëtorë të sigurimit të kompanisë “Rojet e Nderit” kanë mbetur pa rroga për muajin janar. Kështu i kanë thënë Insajderit punëtorët të cilët rrogën prej 400 eurove e kishin esenciale për mbijetesë. Sipas burimeve të Gazetës, bllokimi i mjeteve financiare ka ndodhur për shkak të një raporti të Auditorit të Brendshëm. Auditorët i kanë evidentuar në raportin e tyre shkeljet e rënda që i kanë hasur gjatë monitorimit.
Gazeta Insajderi ka siguruar ekskluzivisht një pjesë të këtij raporti që është shkruar me 9 janar2024. Në këtë raport, të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, thuhet se gjatë monitorimit janë hasur në shkelje të rënda në implementimin e kontratave, duke u bërë kështu një trajtim çnjerëzor të punëtorëve të kësaj kompanie.
Sipas raportit, thuhet se kompania e sigurimeve “Rojet e Nderit” ka bërë shkelje të mëdha në kushtet e punës me punëtoret.
Nder to, janë theksuar për mungesë të numrit të rojeve, mos pagesa e kontributeve pensionale, mos pagesa e shpenzimeve mjekësore, mos pagesa e ndërrimit të natës, gjatë festave e vikendeve e po ashtu edhe të shujtave ditore.
“Bazuar në të gjitha të gjeturat e përshkruara në raport dhe jo vetëm, duke marrë parasysh se lënda për aktivitetin për Ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut gjendet në OSHP më shumë se një vit, pastaj vetem në vitin 2023 kanë qenë aktive 7 kontrata për të cilat është dashtë të formohen komisione të shumta, angazhime të mëdha, duke filluar nga përgatitja e specifikimeve teknike, vlerësime të ofertave, sqarime në pyetje të kërkuara qoftë nga menaxhimet apo edhe OE, angazhime të stafit të KEK-ut në monitorim të implementimit të kontratave, pagesa të faturave dhe pjesa kryesore që janë shkeljet e shumta në implementim të kontratave, përfshirë numrin e madh të mungesave të rojeve, pastaj diskriminimin e punonjësve rojeve të angazhuara në ruajtjen e pasurisë së KEK-ut për shkak të mos pagesës së kontributeve pensionale, mos pagesën e shpenzimeve mjekësore, shujtat brenda 12 ore me një vlerë prej 2€, pagat e ulta, mos pagesa e orëve të ndërrimit te natës, gjatë vikendeve, festave sipas Ligjit të Punës, pastaj kushtet e vështira në hapësirat ku qëndrojnë, mungesa e rrobave apo mos pajisja me rroba që një kohë të gjatë, etj etj, REKOMANDOHET që i tërë menaxhmenti i KEK-ut, përfshirë edhe BD, të trajton çeshtjen e Rojeve të sigurimit, për të shikuar të gjitha mundësitë ligjore që të njejtit të kthehën në KEK”, thuhet në fund të raportit të cilin e ka siguruar Gazeta.
Korporata Energjetike e Kosovës që nga viti 2021 është duke shpërblyer me tenderë përmes procedurës së negociuar kompaninë e sigurimeve “Rojet e Nderit” . Kjo kompani është themeluar nga milioneri Kushtrim Krasniqi, për të cilin Insajderi kishte raportuar se ishte i arrestuar për më herët.
Në bazë të aktiviteteve të KEK dhe kompanisë “Rojet e Nderit” që figurojnë në e-Prokurim, korporata i ka dhënë në vazhdimësi tenderë përmes procedurës së negociuar pa publik të njoftimit për kontratë, që nënkupton se palët negociuan direkt mes vete. LINKU
Ndonëse, punëtorët për muajin janar kanë mbetur pa paga, sipas kontratës që KEK ka nënshkruar me 1 janar me kompaninë “Rojet e Nderit” ka bartur shumën prej 236 mijë e 464 euro në llogari të kompanisë.
Një tender i tillë është nënshkruar edhe për muajin shkurt të vitit 2024.
Insajderi kishte raportuar se si në fund të 2022’tës KEK-u e kishte shpërblyer me tender 1.3 milion euro kompaninë e themeluar nga biznesmeni Kushtrim Krasniqi, për gjashtë muaj.
Kompania “Rojet e Nderit” përfitoi tenderë milionësh nga shteti.
Kompania “Rojet e nderit”, njihet si një prej kompanive që ka përfituar tenderë milionësh nga shteti.
Ajo përgjatë viteve kishte fituar plotë 12 kontrata të tenderëve, në vlerë mbi 2 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Këta tenderë kompania e themeluar nga Kushtrim Krasniqi, i fitonte kryesisht nga ministritë dhe nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ku kontratat kapnin vlera gjysmë milionëshe.
Si u arrestua për prostitucion biznesmeni milioner nga Malisheva?
Biznesmeni milioner nga Malisheva, Kushtrim Krasniqi, që mori milionat nga shteti, ishte arrestuar në vitin 2022 nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për “mundësim apo detyrim në prostitucion”.
Ai ishte kapur së bashku me tri vajza të tjera pas bastisjeve që policia, kishte kryer në disa lokacione në Prishtinë. Krasniqi dyshohet se së bashku me dy vajza të moshës 20-vjeçare dhe një 22-vjeçare për gati shtatë muaj, i mundësuan dhe e detyruan për prostitucion një vajzë të mitur.