Shkruan: Bedri Elezi
Në çdo shtet demokratik, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është një element thelbësor i rendit kushtetues dhe i sigurisë kombëtare. Një shtet mund të ketë ligje të mira, institucione të shumta dhe mekanizma kontrolli, por nëse qytetari nuk beson se drejtësia funksionon në mënyrë të paanshme, atëherë vetë legjitimiteti i shtetit fillon të dobësohet.
Në Kosovë po shfaqen tregues që meritojnë vëmendje serioze. Gjithnjë e më shumë qytetarë po i drejtohen mekanizmave joformalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në shumë raste, pajtimet realizohen nga imamë ose figura të tjera me autoritet në komunitet, ndërsa rastet e vetëgjyqësisë dhe të dhunës si formë e “vendosjes së drejtësisë” kanë shënuar rritje shqetësuese.
Vetë ekzistenca e këtyre fenomeneve nuk është problemi kryesor. Problemi lind kur ato bëhen zëvendësim i institucioneve shtetërore. Atëherë shtrohet pyetja: çfarë e shtyn qytetarin të mos besojë më te drejtësia?
Një pjesë e përgjigjes lidhet me performancën e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Hetime të zvarritura, vendime kontradiktore, mungesë llogaridhënieje, perceptim për trajtim selektiv dhe dyshime për korrupsion krijojnë bindjen se drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë.
Në këtë pikë lind një çështje që nuk duhet të konsiderohet tabu.
Nëse minimi i besimit në drejtësi është rezultat i paaftësisë, atëherë nevojiten reforma profesionale.
Nëse është rezultat i korrupsionit, nevojiten hetime penale dhe përgjegjësi individuale.
Por nëse, në raste të caktuara, provohet se veprime të zyrtarëve janë ndërmarrë me vetëdije dhe në koordinim me interesa të huaja për të dobësuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me korrupsion ose keqpërdorim detyre. Në varësi të fakteve dhe provave, mund të lindin elemente të veprave penale që cenojnë rendin kushtetues, sigurinë kombëtare ose edhe spiunazhin. Këto janë çështje që mund të përcaktohen vetëm përmes hetimeve profesionale dhe vendimeve gjyqësore.
Prandaj, institucionet përgjegjëse – përfshirë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Inspektorati Policor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës – duhet ta trajtojnë rënien e besimit në drejtësi jo vetëm si problem reputacioni institucional, por si një indikator të mundshëm të rrezikut për sigurinë e shtetit.
Besimi në drejtësi nuk është vetëm çështje morale. Ai është aset strategjik i Republikës. Kur ai dëmtohet, hapet rruga për drejtësi paralele, vetëgjyqësi, radikalizim, manipulim nga aktorë të jashtëm dhe dobësim të rendit kushtetues.
Prandaj, matja e besimit të qytetarëve në drejtësi duhet të jetë tregues i rregullt i sigurisë kombëtare. Çdo rënie e vazhdueshme e këtij besimi duhet të analizohet me seriozitet dhe të shoqërohet me hetime, reforma dhe masa konkrete.