Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë ndaj rezultateve të PISA-s, duke bërë ridefinimin e prioriteteve.
Ai ka thënë se këto rezultate jo të mira duhet të shërbejnë si moment i vetëdijesimit kombëtar për ta bërë cilësinë e arsimit prioritet kryesor në vend.
Por, ai ka thënë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje si shkak i vlerësimit të PISA-s, pasi, sipas tij, vetë e ka kërkuar këtë vlerësim ndërkombëtar, duke u shprehur i bindur se puna e tij do të reflektohet në vlerësimin e radhës të PISA-s, në vitin 2018.
Duke folur rreth kërkesës për dorëheqjen e tij, Bajrami ka thënë se në këtë situatë nuk ndien asnjë përgjegjësi subjektive apo objektive.
“Unë po dëgjoj deklarata edhe të kolegëve të mi, për të cilët kam shumë respekt por atyre u kisha sugjeruar që, në vend të deklaratave, të japin ide sesi të veprojmë dhe ta përmirësojmë gjendjen në arsim”, ka thënë ministri Bajrami në një intervistë për gazetën Epoka e Re
Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68 në mesin e 70 shteteve, cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
Më keq se Kosova renditen Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkohë Singapori është i radhitur në vendin e parë.
Testi “PISA” ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
Ky është studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim.