Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku javë më parë ka emëruar në Këshill Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës Fisnik Smanin, Lejla Pulan, Jeta Musollin, Sihana Vitaku dhe Pajtim Zogaj.
Ky vendim ishte kritikuar nga disa koreograf të Kosovës. Ndër ta edhe Robert Nuha e Driton Saqipi.
Ky i fundit përmes një prononcimi për Insajderin ka thënë se ai vendim ishte i kundërligjshëm.
“Z.Çeku disa javë më parë emëroi në këshillin drejtues të BKK-së, dy persona(balerine)me shkollim te mesem,si dhe dy pianiste. Këto emërime janë të jashtëligjshme, duke shkelur ligjin e KDB -(Rregulloren Nr XX/2022, Neni 4)”, tha ai për Insajderin.
Ai shtoi se ministri ua ka mohuar të drejtën e përzgjedhjes së përfsqësuesve të tyre 26 balerinëve të Baletit Kombëtar.
“Ministri jonë i Kulturës arrin deri aty sa t’ia mohojë të drejtën pë të zgjedhur përfaqësuesit e tyre edhe 25 balerinëve te BKK,të cilëve këtë të drejtë ia njeh ligji. Deri kur në shtetin tone vendimarrja nuk do te mbeshtetet në ligj,por vetëm në interesa klienteliste dhe abuzive?”, tha ai tutje.
Insajderi ka tentuar të kontaktojë me ministrin e Kulturës, por, i njëjti nuk është përgjigjur.