Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, është duke vazhduar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar disa takime që për temë diskutimi ka qenë kryesisht siguria dhe çështjet e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, Ministri Hyseni ka takuar Marie Richards, zëvendës koordinatore për çështje rajonale e multilaterale në Byronë e Kundër-Terrorizmit, z. Tom Yazdgerdi, drejtor për Ballkan në Departamentin e Shtetit, z. Mark Koumans, nga zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Departamentit të Homeland Security.
Ministri Hyseni ka takuar dje gjatë ditës edhe Kongresistin Eliot Engel.
“Sot pasdite, ministri Hyseni takon drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) me ç’rast do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Forenzikes”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në këto takime është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe në organizata të tjera të bashkëpunimit policor./Insajderi