
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, priti sot në takim dy përfaqësues të Fondit Global për Angazhim dhe Rimëkëmbje, drejtorin ekzekutiv Khalid Koser dhe zyrtarin operacional të organizatës, Jonathan Wood, të cilët i falënderoi për mbështetjet që ata dhanë që Kosova të bëhet njëra nga vendet përfituese të fondeve për parandalimin e ekstremizmit.
Ministri Hyseni i njoftoi drejtuesit e organizatës me seli në Gjenevë për aktivitetet e shumta të cilat Ministria e Punëve të Brendshme i ka ndërmarr tash e një kohë në përputhje me Strategjinë për Parandalim të Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, të aprovuar nga Qeveria në shtator të vitit të kaluar.
Në anën tjetër, drejtuesit e GCERF u ndanë të kënaqur me zhvillimet e Ministrisë së punëve të Brendshme, dhe në përgjithësi të vendit tonë në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe premtoi se organizata e tyre do ta ndihmojë Kosovën edhe më tutje, thuhet në komunikatë.
Kosova në shtator të vitit të kaluar kishte përfituar një shumë të caktuar nga fondi 25 milionë eurosh për ekstremizmin e dhunshëm, që ishte ndarë në pesë shtete.
Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin./Insajderi