Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se procesi i zgjedhjeve në veri do të determinohet ditëve në vijim dhe se udhëzimi administrativ që mundëson peticion për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit.
Ai nuk dha detaje në lidhje me punën e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ që mundëson nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve, veçse tha se deri më tani janë mbajtur dy takime.
“Deri tash gjithçka është në rregull, grupi punues ka pasur dy takime. Dhe unë nuk mund të diskutoj mbi një udhëzim administrativ të cilin ende nuk e kemi për konsultim publik dhe unë ende nuk mund të jap asnjë detaj shtesë”, deklaroi Krasniqi.
I pyetur se cilat janë hapat që do të ndërmarrin për zgjedhjet në veri, Krasniqi u shpreh se ky proces do të determinohet ditëve në vijim.
“Është një proces i cili do të determinohet ditëve në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra. Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të Kosovës, kështu që në këtë moment nuk dua të diskutojë më shumë rreth produktit, sepse në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues”, tha ai.
Këto deklarata ministri Krasniqi i bëri pas takimit me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini dhe vizitës ne fillimin e punimeve në segmentin rrugor “Ura e Tabakut” deri tek “Ura e Ahmet Efendisë.