Në mënyrë që të fshihet cilësia e dobët e ushqimit që po iu servohet ushtarëve të Forcës së Sigurisë dhe Kosovës, Ministria e Mbrojtjes hapi një konkurs “vjedhurazi” që u bë publik më 10 tetor. Ndonëse nuk inkurajuan të tjerët të aplikojnë në këtë konkurs, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dale me një qendrim tri ditë pas shpalljes së konkursit.
Maqedonci me anë të një reagimi publik ka thënë se do t’i ndjekin hapat e envojshëm për realizimin e rekrutimit të personelit civil, që do të integrohet në kuadër të FSK’së, shkruan Insajderi.
“Për të adresuar këto sfida të përsëritura, unë, së bashku me Komandantin e FSK-së, kemi kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së. Përmes këtyre veprimeve, synojmë të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së”, ka thënë Maqedonci.
“Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së”, ka shtuar ndër të tjera Maqedonci.
Ministri i ushtrisë ka thënë se dhënia e kontratave emergjente që nga 2015-a ka dëmtuar imazhin e FSK’së dhe mirëqenien e saj.
Insajderi raportoi ekskluzivisht për një letër që komandanti i FSK’së, Bashkim Jashari, ia dërgoi ministrit Maqedonci. Në të përmendej cilësia e dobët dhe rreziku për infektim. Aty pati edhe kërcënime për pezullim të aktiviteteve, në rast të mos-veprimit.
Gazeta Insajderi po ashtu raportoi ekskluzivisht edhe për konkursin e lartpërmendur, të hapur para tri ditësh.
Ministria e Mbrojtjes hapi konkurs për pozitat si në vijim: Kuzhinier Grada A, Ndihmës Kuzhinier Grada A0, Shpërndarës ushqimi Grada CS3 dhe Pastrues Grada CS3.
Në këtë konkurs janë caktuar edhe rajonet ku do të plotësohen këto pozita, e që janë: Gjilan, Istog, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Pomozitin, Prizren dhe Prishtinë.
Ky konkurs është publik në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, mirëpo shtohet dyshimi pse nuk ishte shpërndarë askund në kanalet e komunikimit të Ministrisë.
Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së ka qenë ndër temat më të diskutuara së fundmi në vend, e para, për cilësinë e dobët e edhe për shkak të skadimit të kontratës për furnizimin me ushqim. /Insajderi.org/