×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ministria e Bujqësisë “lë anash” 80 fermerë të Rahovecit, ende nuk i ka subvencionuar për dëmet e vitit kaluar

    Insajderi
    21 June 2023 - 15:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Bujqësisë ende nuk i ka subvencionuar 80 fermerë të Rahovecit, të prekur nga dëmet e shkaktuara në gusht dhe shtator të vitit të kaluar, në kohën kur të mbjellat në këtë komunë u dëmtuan nga breshëri dhe vërshimet.

    Lidhur me këtë situatë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, i cili ka sqaruar ecurinë e kësaj çështje.

    Sipas Durakut, Ministria e Bujqësisë ka kaluar të gjitha afatet ligjore për subvencionimin e 80 fermerëve, të cilët po kërkojnë kompensim nga shteti për demet e vitit të kaluar.

    “Prej tyre, vetëm 80 kanë mbete që nuk janë aprovu. Ende është pezull situata, sepse Ministria ka thënë që i ka aprovu, po nuk i ka subvencionu. Afatet kohore kanë përfunduar moti”, ka deklaruar ai.

    Sipas drejtuesit të dikasterit të bujqësisë në Rahovec, fillimisht ministria kishte pranuar më pak se gjysmën për subvencionim. Kjo, për shkak të një Udhëzimi të ri Administrativ që kanë nxjerrë pas vlerësimit të ankesave të bujqëve.

    “Ministria e Bujqësisë e kanë nxjerrë një Udhëzim Administrativ për formën e vlerësimit më 10 tetor. Që i bie masi që i kanë përfundu vlerësimet e dëmeve. Kur ia kemi dorëzu raportin, në këtë raport kanë qenë 640 fermerë. Një komision i ministrisë ka fillu vlerësimin, i ka selektu diku 214 i kanë aprovu, ndërsa 326 i ka refuzu”, ka thënë më tej ai.

    Fermerët e kësaj komune në kushte anonimiteti janë ankuar për mos-subvencionim në adresë të Insajderit.

    Mediumi ka kontaktuar Ministrinë e Bujqësisë më herët për subvencionet e vitit 2021, ku kanë njoftuar se nga dy vitet e kaluara ministria ka subvencionuar 288 fermerë me 32% të vlerës së dëmeve, teksa 42 prej tyre nuk janë kualifikuar.

    “Ju njoftojmë se MBPZHR-ja për dëmet në bujqësi për vitin 2021 ka pranuar kërkesën nga Komuna e Rahovecit me raportet e vlerësimit nga komisioni komunal në shumën totale prej 721,724.96 euro me 330 fermerë. Ndërsa, pas shqyrtimit të raporteve nga komisioni i MBPZHR-së janë kualifikuar 288 fermerë në shumën totale 625,890.80 Euro. Ndërsa, 42 fermerë nuk janë kualifikuar sepse nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara. Sipas vendimit të Qeverisë 288 fermerët e komunës së Rahovecit janë kompensuar me 32% e vlerës nga vlerësimi i komisionit komunale i Komunës së Rahovecit”, kanë njoftuar nga ministria. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark