Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), ditëve të fundit ka pranuar një numër të madh ankesash nga fermerët, për shkak të vonesave në pagesat e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
Përmes një kërkese zyrtare, kjo Shoqatë ka kërkuar nga ministri Peci që të përshpejtojë ekzekutimin e pagesave të subvencioneve për fermerë.
“Vonesat që janë duke ndodhur, janë duke i vendosur fermerët në situata të pafavorshme, ku shumë prej tyre po përballen me vështirësi, mungesë mjetesh financiare, borxhe dhe pa mundësi për të blerë me kohë inputet e nevojshme për mbjellje vjeshtore për të mbuluar shpenzimet e inputeve, si: farërat, plehrat, karburantin dhe shpenzimet tjera të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit të lartë. Prandaj, vonesa në pagesë të subvencioneve po ndikon direkt në planifikimin e tyre sezonal dhe si rrjedhojë do të ndikojë negativisht në prodhimin final bujqësor” thuhet mes të tjerash në kërkesën që u dërgua në dikasterin e Pecit.
Lidhur me këtë, IndeksOnline ka kontaktuar Ministrinë e Bujqësisë, nga ku deklaruan se pagesat në fjalë janë duke u ekzekutuar në vazhdimësi.“Pagesat për subvencionet në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2024 janë duke u ekzekutuar në vazhdimësi. Sa për informacionin tuaj, deri tani, janë realizuar 75% e pagesave për sektorin e lopëve qumështore në kuadër të programit të rregullt në vlerë prej 3,406,950.00 Euro (deri më tani). Pjesa tjetër është në proces të kontrollit në terren, kontrollës administrative për të verifikuar nëse aplikuesit i plotësojnë kriteret e pranueshmërisë” thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri.
Sipas tyre, tani është duke u aplikuar faza e kontrollës administrative të lëndëve të pranuara nga afati për aplikim për gjashtëmujorin e parë për qumështin, afat ky që ishte i hapur nga 1 gusht deri më 1 shtator.
Nga Ministria thonë se pritet që deri në fund të muajit nëntor të përfundojnë kontrollat, e më pas të procedohen këto lëndë për pagesë.Të pyetur nëse pritet të ketë rritje subvencionesh ose masa shtesë për ndihmë të fermerëve, nga MBPZHR-ja thonë:
“Për vitin 2024 janë mbështetur të gjitha sektorët dhe nën-sektorët për sipërfaqe përmes subvencionimit të pjesshëm të çmimit të naftës, në vlerë prej 0.36 €/litër për sasi prej 150 litër/ha. Gjithashtu, është ofruar mbështetje shtesë përmes subvencionimit të pjesshëm të plehut artificial, deri në 100 €/ha për disa kultura. Aplikuesit kanë pasur afat deri më 01.09.2024 për dorëzimin e faturave.”
Nga kjo Ministri deklaruan për IndeksOnline gjithashtu se janë krijuar grupet punuese për hartimin e draft programit n kuadër të programit të ri të pagesave direkte për vitin e ardhshëm.
Sipas tyre, këto grupe do të japin propozime për mbështetje të fermerëve, ku pjesëmarrës në këto grupe punuese janë gjithmonë përfaqësuesit e shoqatave përkatëse, përfshirë edhe atë të qumështit.
MBPZHR-ja pohon se propozimet dhe komentet e këtyre grupeve do të merren në konsideratë, pasi edhe politikat e tyre janë të orientuara kah lehtësimi i masave për të gjitha kategoritë mbështetëse.