Ministria ruse e Punëve të Jashtme të Rusisë ka reaguar për “deklaratat agresive” të Ramush Haradinajt, duke i dënuar ato, pasi që ish kryeministri kosovar ka akuzuar rëndë Serbinë dhe lidershipin atje lidhur me Kosovën dhe shqiptarët.
“Vlerësojmë si të papranueshme mungesën e përgjigjes adekuate të mbështetësve të Prishtinës, para se gjithash të BE-së dhe SHBA-së pas deklaratave të tilla ekstremiste. A i vlerësojmë normale ato deklarata partnerët ndërkombëtarë? A janë të pranueshme deklarata të tilla në Evropën bashkëkohore? A po solidarizohen me Haradinajn Uashingtoni dhe Brukseli”, pyet zyra për informim e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme në njoftim, transmeton lajmi.net.
Kjo ministri tutje thekson se me keqardhje e kanë pritur edhe vendimin e gjykatës franceze për lirimin e Haradinajt, duke, siç thekson kjo ministri, injoruar kërkesën ligjore të palës serbe për ekstradim.
“Kërkesa ishte e drejt ndaj personit që akuzohet për krime, kidnapime dhe dhunime”, thekson MPJ-ja ruse.
“Kjo tregon se kuazi shteti i Kosovës është burim kryesor i destabilitetit në rajon dhe është i dhënë ndaj aspiratave shqiptaromëdha të cilat mund të çojnë deri te konfliktet ndëretnike dhe paraqesin potencial për përleshje në Ballkan”, thuhet në fund.