Ministrja Federale për BE-në dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, ka dalë me një propozim pesë-pikësh për Bashkimin Evropian që ky mekanizëm, sipas saj, t’i kthejë fjalët në vepra për Ballkanin Perëndimor.
Në njërën nga pikat drejtuar BE-së, cilën e ka shpërndarë në platformën ‘X’, ka thënë se duhet shqyrtuar aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE përpara zgjedhjeve në unionin evropian, shkruan Gazeta Insajderi.
“Kosova e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 – pa ndonjë vendim ende nga ana jonë se si do të procedohet me të. Nuk ka dyshim se shumë nga arsyet e kësaj situate qëndrojnë tek vetë gjashtë shtetet”, ka deklaruar ajo.
Ajo e ka vlerësuar si të domosdoshme njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së.
“Progres në bisedimet e anëtarësimit me Serbinë dhe në përpunim të kërkesës për anëtarësim të Kosovës para zgjedhjeve në BE (në varësi të zhvillimeve të mëtejshme në bisedimet e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës); nëse BE-ja dëshiron të marrë timonin, njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së është e domosdoshme”, ka deklaruar ajo.
Ndër tjera, ajo ka shtuar se: “Incidentet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë na kanë treguar se sa e brishtë është situata në rajon”.
“Jam plotësisht e bindur se familja evropiane nuk është e plotë pa gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Le të tregojmë se Evropa është e aftë të jetë aktor gjeopolitik të paktën në portën – jo, në oborrin e saj”, ka përfunduar ajo. /Insajderi.org/