Insajderi
Lajme

Ministrja “e varfër” e Kurtit- Hajdari sërish deklaron gjendje të varfër ekonomike, ndonëse merr pagë prej 1 mijë e 749 euro

Insajderi
13 November 2025 - 13:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ministrja “e varfër” e Kurtit- Hajdari sërish deklaron gjendje të varfër ekonomike, ndonëse merr pagë prej 1 mijë e 749 euro
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar të jetë e gjendjes së varfër ekonomike.

Këtë deklarim, ministrja Hajdari e ka bërë në prezantimin e të dhënave të saj para Prokurorisë Speciale lidhur me dëshminë në rastin e ngritjes së aktakuzës për “Rezervat shtetërore”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“..ekonomiste, e gjendjes së varfër ekonomike..”, përshkruhet në aktakuzë.

Kështu kishte deklaruar edhe në rastin e gjykimit për aksidentit ndaj një të miture në Prishtinë. Në atë gjykim, mbrojtja e Hajdarit kishte kërkuar të vlerësohet si rrethanë lehtësuese “kushtet jo te mira ekonomike”.

Mirëpo, për pesë vjet, që nga data e emërimit më 22 mars 2021 deri në deklarimin e fundit të pasurisë të dorëzuar më 24 mars 2025 për vitin 2024, ministrja Hajdari ka deklaruar se ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 72,747.00 euro.

Të hyrat nga buxheti i shtetit i ka deklaruar nga paga mujore si dhe mëditjet për udhëtimet jashtë vendit.

Në anën tjetër, në deklarimin e fundit të pasurisë, ministrja Hajdari ka deklaruar se pranon pagë mujore si ministre në vlerë prej 1749,57 euro.

Nëse kjo pagë llogaritet për periudhën janar-tetor 2025, i bie të ketë pranuar pagë 17,490.00 euro.

Ndërsa, ka deklaruar kursime mbi 8 mijë euro, një pjesë e tyre të përbashkëta.

“5,600.00 Euro Pension mujor për kategoritë e cënueshme Depozita/kursime Përbashkët. 4,652.37 Euro Paga mujore Depozita/kursime Deklaruesit”, thuhet në deklarimin e pasurisë.

Ajo ka të deklaruar dhe një banese prej 60 metra katror, në pronësi të përbashkët.

“Blerja e banesës nga kursimet familjare dhe pagat e motrës Tereza viti 2012, në vlerë 56,100.00 €, pronësia e përbashkët”, thuhet në deklarim të pasurisë.

Ndaj ministres Hajdari, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor 2025 lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”.

Hajdari akuzohet për kryerjen e dy veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Bashkë me të po akuzohen ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark