Minstria e Arsimit reagon për çmimet e librave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Minstria e Arsimit reagon për çmimet e librave

    Insajderi
    03 September 2025 - 18:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar pas shqetësimeve për ndryshimet e çmimeve të librave shkollorë, duke thënë se çështja është adresuar tek organet kompetente.

    Nëpërmjet një njoftimi, MAShTI tha se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe koordinatorët e verifikimit në shkolla, po monitoron procesin e subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit.

    Sipas ministrisë, bazuar në Udhëzimin Administrativ 13/2026, nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën nuk kanë nevojë të blejnë tekste shkollore, pasi ato bartën nga gjeneratat e mëparshme.

    “Menaxhimin e këtij procesi e ka bërë secila shkollë dhe, sipas raportimeve të komunave, ai është zhvilluar me sukses. Çdo detyrim i prindërve për të blerë tekste për nxënësit e këtyre klasave është i paligjshëm. Subvencioni prej 80 eurosh është i destinuar vetëm për blerjen e fletoreve dhe materialeve të tjera shkollore,” thuhet në njoftim.

    Për ndryshimet e çmimeve të paraqitura në kopertinat e librave, MAShTI sqaroi se nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk është zhvilluar proces tenderimi dhe as negocim i çmimeve.

    “Këto shqetësime tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (në kuadër të MINT) dhe në Autoritetin e Konkurrencës. Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga këto organe përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”, theksoi MAShTI.

    Lidhur me furnizimin e nxënësve të komuniteteve joshumicë dhe atyre me kujdestar ligjor, ministria bëri të ditur se subvencioni është i garantuar, sikurse edhe në vitet e kaluara, për çdo nxënës që ndjek mësimet në institucionet e Kosovës.

    Po ashtu, këtë vit janë shtuar masat e verifikimit për përfituesit e subvencioneve, me qëllim që askush të mos përfitojë pa u kontrolluar.

    “Për vitin aktual, MAShTI ka shtuar masat e verifikimit përmes moduleve shtesë, ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë secilin nxënës në shkollën përkatëse, duke garantuar që askush të mos përfitojë pa u verifikuar,” përfundon reagimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark