14:28 - 07 Mars 2021

Nga Matthew Rozsa

Një komitet këshillimor i Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) autorizoi  përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit me një dozë të vetme të kompanisë “Johnson & Johnson”, duke e përcaktuar atë si të sigurt dhe efektive.

Ky vendim lejon që vaksina të nisë shpërndahet në të Shtetet e Bashkuara, por dhe vende të tjera të botës. Ndërkohë ai ngre natyrshëm edhe një pyetje që është në mendjen e të gjithëve: A nënkupton një vaksinë e tretë në treg më shumë furnizime, dhe kësisoj një fund më të shpejtë të pandemisë?

“Është e mundur të ketë disa pengesa në shpërndarje, por ne ende nuk e dimë nëse ato do të ndodhin apo jo”- thotë dr.Rob Hendfilld, profesor i menaxhimit të zinxhirit të furnizimit në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut.

Sipas tij, shpërndarja e vaksinave mund të shkojë keq në disa aspekte. Dhe në fakt ne kemi tashmë kemi parë disa prej tyre. Kështu qeveritë kanë dështuar shpesh me fushatën e vaksinimit, për shkak të planifikimit të dobët.

Megjithatë mund të ndodhin edhe probleme me prodhimin, diçka që është më e lehtë për t’u kuptuar nëse shihni se si prodhohen vaksinat. Nëse do të futeshit brenda fabrikave të ndryshme që prodhojnë vaksinat, do të shihni diçka shumë të ndryshme nga llojet e fabrikave që prodhojnë në masë makina apo lodra.

Ekzistojnë lehtësira të caktuara për të krijuar lëndën e parë të vaksinës, përfshirë materiale për kulturat qelizore, të cilat ndihmojnë në rritjen e antigjeneve të vaksinës (shpesh pjesë të vezëve) dhe përbërës inaktivues si formaldehidi, që e dobësojnë ose vrasin antigjenet para se të injektohen në trup.

Pastaj lëndët e para kombinohen me saktësi absolute dhe futen në flakonë ose shiringa sterile. Më pas ato paketohen, transportohen dhe shpërndahen, shpesh të pajisura me një teknologji shtesë, për t’u siguruar që gjërat të mos shkojnë keq (për shembull, vaksinat Pfizer dhe Moderna mRNA. duhet të ruhen vazhdimisht në temperatura shumë të ulëta).

Këto procese kërkojnë makineri të shtrenjta dhe shpesh të ndërlikuara: kazanët e pandryshkshëm të çelikut, ngrirësit e madhej në temperatura shumë të ulëta, inkubatorët, makineritë e specializuara si centrifuga, dhe pajisjet tradicionale laboratorike shkencore si mikroskopët dhe epruvetat.

Sigurisht që nevojiten edhe flakonët dhe shiringat, por edhe kutitë për transportimin e materialeve midis vendeve të ndryshme të fabrikës. Gjithashtu duhen pajisje që njerëzit t’i vendosin vaksinat në flakonët e tyre në një linjë montimi dhe akull të thatë, për t’i mbajtur vaksinat në temperaturat e duhura.

Pra me të gjitha këto elementë, vështirësitë logjistike mund të ndodhin në çdo hap të rrugës.

Ndërkohë procesi mund të ndërlikohet nga faktorë të tjerë. Mund të ketë mungesa të zinxhirit të furnizimit për gjithçka, nga shiringat dhe flakonit tek lënda e parë. Në fakt, probleme të papritura mund të ndodhin edhe para se të prodhohet vaksina.

Për shembull, disa kompani farmaceutike po i blejnë flakonët e tyre nga një prodhues, “SiO2 Material Science”, që në fillimisht nuk prodhoi flakonë hermetikë, sepse nuk ishte nevoja. Por meqë vaksinat mund të prishen nëse bien në kontakt me ajrin, flakoni duhej të modifikohej  duke përdorur procese kimike të nivelit më të lartë, që e mbyllin hermetikisht.

Ndërkaq, ekzistojnë gjithashtu probleme të mundshme mbi keqinformimin mbi vaksinën, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen e saj. Njerëzit që besojnë gabimisht, se qeveria do t’i gjurmojë apo dëmtojë ata përmes procesit të vaksinimit, mund ta bëjnë më të vështirë identifikimin e atyre që janë vaksinuar tashmë. / “Salon” – Bota.al