Ministria e Drejtësisë njofton opinionin se me vendim të Prokurorisë, është lejuar përfshirja e ekspertit të kërkuar nga familjarët e të ndjerit Astrit Deharit, në cilësinë e vëzhguesit në procesin e autopsisë.
“Aktualisht, ekipi i mjekëve ligjorë mbetet në pritje të propozimit të emrit të ekspertit nga familjarët e të ndjerit, në mënyrë që të fillojë sa më parë autopsia dhe të sqarohen zyrtarisht shkaqet e vdekjes”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë kërkon nga të gjitha institucionet e përfshira, në veçanti Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, që procesi të zhvillohet me transparencë të plotë dhe siguron familjarët dhe opinionin se do të ndërmarrë të gjitha masat që janë në mandatin e Ministrisë për të siguruar transparencë në këtë proces.
“Deri në marrjen e raportit zyrtar, Ministria e Drejtësisë mbështet mjekët ligjorë për fillimin sa më të shpejtë të obduksionit në përbërjen e kërkuar nga familja e të ndjerit dhe fton të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të përmbahen nga paragjykimet lidhur me rastin”, përfundon komunikata./Insajderi.com