
Gazetari, Ilir Mirena ka publikuar një video të aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Arbnor Deharit i cili ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës pasi po protestonte kundër delegacionit kosovar që ktheheshin nga bisedimet me Serbinë, shkruan Insajderi.
Mirena, pas dakordimit të sotëm në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit pyet se kundër kujt do të protestonte sot Dehari po të ishte gjallë.
“Arbnor Dehari, vellai i Astritit, kur arrestohej sepse protestonte ne aeroport kur delegacioni kosovar kthehej nga bisedimet dhe marreveshjet me Serbine. Cila do t’ishte protesta e tij sot, dhe kunder kujt, po te ishte gjalle?… 🫤” shkruan Mirena.
Astrit dhe Arbnor Dehari ishin arrestuar në protestën kundër marrëveshjes që pranoi Kurti sot në Bruksel.
Dy vëllezërit Dehari, Astriti dhe Arbnori, ishin në mesin e 35 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuar nga Policia e Kosovës, më 3 shtator 2011.
Aktivistët e Vetëvendosjes kishin shkuar të protestonin te aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, pas kthimit nga Brukseli të kryenegociatores Edita Tahiri.
Qëllimi i tyre ishte që ta bllokonin zëvendëskryeministren dhe koncesionet që ajo po i sillte në Kosovë nga dialogu me Serbinë. Sipas Vetëvendosjes, aktivistët e saj “kishin hedhur domate të kalbura në drejtim të veturës së zv.kryeministres për ta simbolizuar kështu efektin që marrëveshjet e Editës i shkaktojnë shtetësisë së Kosovës – ato po e kalbin dhe çmontojnë gradualisht Republikën e Kosovës”.