×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Mjaft Relativizimit! – Të tëra pushtetet kanë vrarë në këtë vend, por ky nuk është argument

    Insajderi
    03 August 2022 - 11:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Sonila Meço

    Mjaft Relativizimit!

    Një damar mbushur me helm relativizues, që e shoh dhe ndjej tek disa mbështetës të kamufluar pushteti synon të ushqejë ide e perceptime që shpërndajnë vëmendjen.

    Për vrasjen e kobshme të 7 vjeçares dikush akuzon plot 32 vite sistem të dështuar. Dikush edhe një shekull të tërë drejtimi kriminal të vendit.

    Megjithëse autori është polic, ish Komisar i dyshuar për kultivim droge, promovuar nga kjo maxhorancë si dhjetra paraardhës të tij, me të njëjtin model e frymë. Ka shkelur çdo ligj e rregull lejuar nga autoritete të këtij shteti monist prej vitesh. Toleruar nga një drejtësi e shkallmuar prej një reforme të dështuar.

    Ka shfaqur të njëjtën arrogancë të pushtetarit përtej së majtës e së djathtës, që ka zhbërë çdo nocion shteti e ka përfituar nga mungesa e drejtësisë e llogaridhënies si kurrë më parë.

    Asnjë relativizim nuk i pi më ujë propagandës. As përbetimi për ndëshkime ekstreme. Madje as moratoriumi i skafeve nuk do t’i bëjë derman. E lexuat raportin e fundit se si dështoi moratoriumi i gjuetisë, ku dendësia e popullatës së specieve të caktuara është shumë herë më e ulët se p.sh në Maqedoninë e Veriut ku nuk ka fare moratorium?

    Sepse ndëshkimet ekstreme, moratoriumet nuk janë forma të edukimit, aq më shumë në vendin e korruptimit absolut. Lloji i vrasjeve dhe krimeve nga vetë autoriteti dëshmon filozofinë e funksionomit të tij.

    Aq më keq kur në 32 vite, dhjetëvjeçari i fundit nuk ndryshoi dot asgjë, as me 1 milionë shuplakat që pasuan premtimin se “Ne do jemi ndryshe”.

    Ndaj për kë ende jeton në këtë vend dhe ushqen relativizimin, radha në mos sot nesër do t’i vijë vetë, në mos nën helikën e një skafi, nën helmin e ushqimeve, nën ndotjen ekstreme të ajrit, pasigurinë e ujit që lag fytin e zhuritur, nën tytën e një polici me shëndet të rënduar mendor, nën kërcënimin e një shoqërie të çartur dendur me molekula të çdo lloj droge, nën rrotat e një shoferi zengjin që blen lirinë, nën dhunën e maskave që i shpëtojnë çdo kamere sigurie, në pafajësinë e të gjendurit krejt rastësisht nën breshërinë e dy bandave që “i hanë kokën njëra-tjetrës”…

    Ndaj një “Mjaft!” me shpirt relativizimeve të përgjegjësive të këtij pushteti, se as cenet tona gjenetike e antropologjike nuk e amnistojnë llojin e shtetit dhe autoritetit që krijoi. As bindja se çdo popull ka qeverinë, që meriton. Sepse Joanda, që pagoi çmimin e papërgjegjshmërisë së një individi (siç zhurmojnë disa relativizues), tani atje lart e ka të qartë si drita e parajsës se relativizuesit e dëmeve të një pushteti monist e të kalbur në korrupsion janë vrasësit edhe më mizorë se një polic pa liçensë skafi, por me liçensë për të vrarë nga dështimi i shtetit.

    Dhe PO, të tëra pushtetet kanë vrarë në këtë vend, por ky nuk është argument. Nëse ende fajin e kanë 32 vite, mos harro se 10 të fundit i pate ti!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark