Mjekët dhe infermieret që zgjodhën të qëndrojnë në pjesën e qytetit të Alepos të udhëhequr nga rebelët, që punojnë në spitale të goditura rregullisht nga bombat, tani kanë frikë se mund të burgosen, torturohen ose të vriten për shkak të angazhimit të tyre në shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Pasi një armëpushim hyri në fuqi të martën vonë për të lejuar evakuimin e zonave të fundit me njerëz të qytetit, organizatat mjekësore paralajmëruan se mjekët që kishin qëndruar në zonat e qytetit të mbajtura nga rebelët, mund të keqtrajtohen nga forcat e regjimit qeveritar sirian.
Deri më tani e vetmja mënyrë për të dalë nga zonat e rrethuara të qytetit, ishte nga një pjesë qytetit që kontrollohet nga qeveria, shkruan The Guardian.
Mjekët dhe infermierët kanë qenë në rrezik të lartë, për shkak se ata kanë qenë në shënjestër për punën e tyre dhe kanë qenë si simbole të opozitës që nga ditët e para të kryengritjes kundër Assadit.
“Mjekët kanë qenë në shënjestër që nga fillimi i krizës për kryerjen e detyrës së tyre mjekësore. Ata që zgjodhën të qëndrojnë në Aleppo, zemrën e opozitës, janë në rrezik të madh nga zonat e qeverisë”, tha Doktor Zaher Sahloul, një mjek siriano-amerikan, i cili ka punuar në Alepo dhe është ish-president i Shoqërisë Amerikane të Mjekësisë.
Luftëtarët rebelë dhe qeveria siriane kanë arritur sot një marrëveshje për të lejuar evakuimin e civilëve dhe luftëtarëve të opozitës nga Aleppo, sipas një zëdhënësi të kryengritësve.
Një zëdhënës i grupit Nour el-Din el-Zinki, Yasser al-Youssef i tha AFP-së se marrëveshja për të cilën ai tha se ishte ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, do të hynte në fuqi “brenda disa orësh”. /Insajderi.com