Tragjedia në Kolovicë – ku kanë humbur jetën dy fëmijë, vëlla e motër, në një gropë të mbushur me ujë – ka alarmuar të gjithë banorët e kryeqytetit.
Sipas Bedri Halimit kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, askush nga operatorët që ka operuar në këtë pjesë – ku edhe ndodhi tragjedia – nuk kanë pasur leje nga MMPH-ja.
“Në bazë të njohurive të mia, nuk kemi informacione se ndonjëri nga operatorët ka pasur leje nga Ministria jonë. Pra, nuk kemi informacion se ka pasur ndonjë operator që ka marrë leje nga Ministria, sepse po të kishte leje do të ishte kontrolluar e do të ishte inspektua nga Inspektorati. Kjo sepse leja jepet për t’u plotësuar disa kritere minimale që janë kusht për licencë në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale”, ka thënë Halimi për Telegrafin, transmeton Insajderi.
“Nuk kemi njohuri që ka pasur ankesë – qoftë nga qytetarët qoftë nga subjektet e ndryshme – për të dalë në vend të ngjarjes, ashtu siç e ka për detyrë Inspektorati”, u shpreh Halimi.
Menjëherë pas tragjedisë, në vendin e ngjarjes ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ngushëlloi familjarët dhe tha se drejtësia do të vihet në vend, duke i lënë policinë dhe grupet hetuese që të kryejnë punën e tyre.
Trupat e pajetë të Florentit 11 vjeç dhe Florentinës 13 vjeçe, të cilët janë mbytur në gropën e mbushur me ujë, tashmë janë dërguar në morg.