×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Momenti kur futet në Gjykatë multimilioneri Izet Sheqiri i akuzuar në rastin e 400 kg kokainë

    Insajderi
    05 December 2022 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e parë gjyqësore ndaj të dyshuarve në rastin e 400 kg kokainë, të cilat ishin gjetur në depon e firmës së njërit prej të dyshuarve, në Lipjan.

    Të akuzuar për sekuestrimin e 400 kilogramëve drogë janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

    Gazeta Insajderi ka qenë e pranishme në seancën e së hënës, së 5 dhjetorit, nga aty sjell pamjet ekskluzive të futjes së Izet Sheqirit dhe të tjerëve brenda sallës së gjykatës.

    Seanca dështoi të mbahet e plotë pasi në sallë mungonte i akuzuari i shtatë, Kadri Sheqiri dhe pala e tij mbrojtëse. Gjykata nuk ka mundur që të jap përgjigje se pse i njëjti nuk ka ardhur në seancë pasi ka qenë nën masën ‘lajmërim në stacion policor’.

    Kush është Izet Sheqiri dhe për çka po akuzohet?

    Izet Sheqiri është pronari i kompanisë “MC FOOD”, Sh.p.k. Ai po akuzohet se ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe udhëheqës i grupit të organizuar kriminal, ku ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin.

    Bazuar në aktakuzën që Insajderin e posedon biznesmeni Sheqiri ka caktuar rolin e anëtarëve të grupit të organizuar kriminal brenda një hierarkie, ashtu që me të akuzuarin tjetër Faton Vrajolli kanë planifikuar të importojnë substancën narkotike të llojit kokainë në sasi prej 400 kg.

    Gjithmonë sipas prokurorisë, kjo sasi e narkotikëve ishte planifikuar të vendosej brenda një sasise të produktit të mishit të bardhë, për importimin e të cilës duke shfrytëzuar kompaninë “MC FOOD” Sh,p.k. kanë lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë “SEARA” nga Brazili.

    Pronari i kompanisë “MC FOOD”, thuhet se në vazhdimësi ka mbajtur kontakte me shoferin, tani të akuzuarin Fehmi Bytyqi, lidhur me ecurinë e transportimit. Bytyqi thuhet se ka qenë i caktuar për transportimin e kokainës nga Shqipëria për në Kosovë.

    I akuzuari Bytyqi, me të arritur në terminalin doganor në Fushë-Kosovë, pasi është hapur kontejneri për kontrollë, incizon mallin brenda kontejnerit ku ishte substanca “dhe menjëherë ia dërgon të pandehurit Izet Sheqiri, për ta siguruar se substanca narkotike kishte arritur të futet në Republikën e Kosovës”.

    Me këtë, i akuzuari Izet Sheqiri ngarkohet me veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, dhe me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Aktakuza ndaj të dyshuarve është ngritur me 14 nëntor të këtij viti teksa seanca e radhës ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve është shtyrë për datën 21 dhjetor.

    Lexo edhe: Rasti i 400 kg kokainë në Lipjan – gjykata merr vendim për njërin prej të akuzuarve

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark