Policia e Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se disa persona kanë mbetur të plagosur sonte në “Bon Vivant”.
Për rastin janë identifikuar 2 persona nga policia, konfirmoi për Insajderin zëdhënësi, Agron Borovci.
Gazeta ka siguruar pamjet ku shihet një vajzë e plagosur duke u futur në ambulancë pas rastit.
“Rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi.
Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .
Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm” thuhet në njoftimin e Policisë.