Për ministrin e Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, pyetjet rreth punësimit të familjarëve në pushtetin e qeverisë që thirrej kundër korrupsionit e nepotizmit janë budallallëqe.
Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht për punësimin e motrës së Xhelal Sveçlës, Magbule Hyseni, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërkaq sot, pikërisht në konferencën për media pas sulmeve ndaj patrullave policore në veri të vendit, ai nuk u kursye nga gazetarët prezent në konferencë.
Sveçla u pyet rreth punësimit të motrës së tij në dikasterin e ministrit Faton Peci, por i njejti nuk iu përgjigj gazetarëve për atë çka u pyet.
“Para disa ditësh është raportuar në media se motra juaj Magbule Hyseni është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë cili është komenti juaj duke marrë parasysh se sa keni qenë në opozitë keni qenë zëri më kritik në për nepotizëm”, e ka pyetur gazetarja ministrin Sveçla.
Kurse Sveçla këtë pyetje e quajti si budallallëk, pasi tema në konferencë ishte tjetër.
“Ne po flasim për një sulm terrorist e ju mirreni me budallallëqe të këtilla”, është përgjigjur ministri i Brendshëm.
Në hulumtimin e Insajderit thuhet se e njëjta, është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Projekt ky i cili implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore.