22:11 - 23 Qershor 2022

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi ka reaguar në lidhje me çështjen e liberalizimit. Sipas tij mosliberalizimi i vizave për Kosovën është lajm hidhërimi, shkruan Insajderi.

Kreu i LDK-së ka thënë se është radha e vendeve të Bashkimit Evropian që t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm e Kosovës minimalisht liberalizim vizash.

“Liberalizimi i vizave për kosovarët është e drejtë bazike njerëzore sot. Kosova ka të përmbushura kriteret e përcaktuara tashmë. Çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi; padrejtësi e rëndë madje. Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK synon ankronimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, dhe në familjen euroatlantike.

“Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorrëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi”, ka shkruar Abdixhiku”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Samiti mes liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nga Kosova mori pjesë Presidentja Vjosa Osmani, ka përfunduar sot pa asnjë rezultat konkret. Pritjet e kosovarëve për këtë samit ishin të mëdha, meqë shpresohej për liberalizim të vizave.

Postimi i plotë i tij:

Liberalizimi i vizave për kosovarët është e drejtë bazike njerëzore sot. Kosova ka të përmbushura kriteret e përcaktuara tashmë. Çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi; padrejtësi e rëndë madje.

Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorrëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi.

Tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm – Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan.