×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Mund të ketë pasoja”- Hovenier tregon se në çfarë rrethanash rrezikohet partneriteti i SHBA’së me Kosovën

    Insajderi
    06 February 2024 - 21:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën e implementimit të rregullores së re të Bankës Qëndrore të Kosovës.

    Hovenier në një intervistë për RTV21 ka thënë se në rastin kur Qeveria e Kosovës vendos të mos i dëgjojë këshillat e amerikanëve, mund të ndikojë në cilësinë e partneritetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    “Ne nuk e duam këtë. Unë dua të jem avokat shumë efektiv për Kosovën. Kam dhënë vite të jetës sime në mbështetjen e trajektores së Kosovës drejt strukturave evropiane dhe euro-atlantike. Unë e besoj këtë. Por unë besoj në atë në bazë të mirëkuptimit që kishim të gjithë për këtë vend, një shtet demokratik, shumetnik dhe sovran. Pra, gjithçka që mund të them është niveli  ku qeveria nuk e bën partnerin për këtë do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë”, deklaroi ndër të tjera Hovenier.

    Ai po ashtu përgjatë intervistës ka thënë se para miratimit të rregullores, nuk ka pasur ndonjë konsultim me partnerët ndërkombëtarë.

    “Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla. Por, që kur u mor vendimi, vazhdimisht ia kemi shprehur shqetësimet tona autoriteteve të qeverisë së Kosovës. Sërish, nuk po kontestojmë autoritetin e qeverisë, autoritetin e Bankës Qendrore, por jemi të shqetësuar për shkak të mënyrës se si Kosova synon ta zbatojë atë që mendojmë se nuk iu përgjigjet apo nuk merr parasysh ndikimin që do të ketë në komunitetin e cenueshëm”.

    Hovenier ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve qeveritarë anti-Lajçak. “Gjëja e parë që dua ta them për këtë është kjo duket pak si një çift që është duke u divorcuar. Kush e fajësoi priftin që i martoi? Nëse ka diçka që po ndodh dhe dialogu nuk ishte plotësisht i suksesshëm besoj se ka shumë më tepër për të bërë me vullnetin politik të vetë palëve se sa cilido lehtësues apo vend që bën përpjekje për të mbështetur lehtësuesin, që në këtë rast është Miroslav Lajçak dhe Bashkimi Evropian. Besoj se ka vizion dhe ka rrugë përpara”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark