Mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë detyroi një kompani nga Mitrovica të marrë punëtorë nga India – Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë detyroi një kompani nga Mitrovica të marrë punëtorë nga India

    Insajderi
    26 October 2022 - 14:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Visar Idrizi, pronar i kësaj kompanie që ofron shërbime të shtypshkrimit për firma private, shtetërore dhe ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë se disa punëtorë i ka siguruar nga Bullgaria, Turqia dhe India.

    “Nuk është numër i madh i këtyre punëtorëve [të huaj] që kemi punësuar, pasi që kemi vështirësi t’i marrim vizat e punës për ta”, thotë Idrizi, duke mos dhënë numrin e saktë të tyre.

    “Është shumë mirë në Kosovë. Ndihem mirë në vendin e punës”, thotë njëri prej punëtorëve nga India, i cili ka disa muaj që i është bashkuar kompanisë “Viprint”.

    “Punoj në sektorin e printimit. Na është ofruar akomodim dhe pagë e mirë”, thotë 32-vjeçari, pa specifikuar më shumë.

    Sipas udhëheqësve të kompanisë që ka afro 60 punëtorë, paga sillet nga 400 deri në 1.500 euro, varësisht nga kualifikimi i një punëtori dhe puna që bën.

    Idrizi thotë se është duke vazhduar kërkimet për më shumë punëtorë nga jashtë Kosovës.

    “Edhe ata [punëtorë] që i gjejmë [në Kosovë], pasi që i trajnojmë, ikin në vendet e Bashkimit Evropian. Neve na duhet një staf më stabil”, thotë ai.

    Hulumtimin e tregut jashtë, ai thotë se nuk e ka të vështirë, për shkak të kontakteve që ka krijuar me partnerë afaristë nga vendet e tjera. Problemet më të mëdha lindin kur procedurat arrijnë te leja e qëndrimit në Kosovë dhe leja e punës, thotë Idrizi.

    Punësimi i shtetaseve të huaj në Kosovë rregullohet me Ligjin për dhënien e lejes për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj, i cili është në fuqi nga viti 2009.

    Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës për një afat kohor prej së paku tre muajsh, duhet të pajisen me leje pune.

    Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në përputhje me politikën e migracionit dhe gjendjen në tregun e punës, cakton në fund të çdo viti numrin e lejeve të punës për shtetas të huaj, për vitin e ardhshëm.

    Ligj në Kosovë parasheh edhe masa ndëshkimore.

    Nëse punëdhënësi punëson një shtetas të huaj pa e pajisur me leje pune, ai dënohet me gjobë nga 1.500 deri në 3.000 euro.

    Po ashtu, nëse një shtetas i huaj punon pa leje pune, ai gjobitet me 500 deri në 1.000 euro.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë për numrin e aplikimeve që janë bërë për leje pune për shtetasit e huaj këtë vit, si dhe për kuotën e caktuar, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

    Për lejeqëndrim në Kosovë me qëllim të punës, shtetasi i huaj duhet të grumbullojë një varg dokumentesh – në mesin e tyre: kontrata e punës, dëshmia që nuk është i dënuar, dëshmia për arsimimin dhe kualifikimin që ka, sigurimi shëndetësor e të tjera. Mbledhja dhe procedimi i tyre shpesh marrin muaj të tërë kohë.

    Visar Idrizi thotë se shumë përfaqësues biznesesh në Kosovë, përmes shoqatave ekonomike, kanë kërkuar që të lehtësohen procedurat për sigurimin e lejeve të punës për shtetas të huaj.

    “Kjo është në dobi të vendit dhe të ardhmes sonë. Nuk mund të zhvillohemi pa fuqi punëtore”, thotë ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark