×
Analiza

Mungesë guximi apo biznesi i shërimit jashtë vendit – pse Kosova ende nuk ka ligj për transplantin e organeve?

Insajderi
23 June 2023 - 17:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

A është mungesa e guximit për ta miratuar, apo që me mos-pasjen e një ligji të tillë qytetarët duhet të udhëtojnë jashtë vendit që të kryejnë transplant organesh arsyeja që tash e më shumë se një dekadë nuk përfundon kurrë procesi për ta miratuar këtë ligj? Edhe mbi një dekadë më vonë, kur janë ndërruar disa qeveri, Ministria e Shëndetësisë ka përgjigje të ngjashme: jemi në proces, derisa tashmë hetimet për milionat shpërndara në mënyrë të dyshimta për shërim jashtë vendit kanë nisur.

Afro një vit më parë Insajderi kishte transmetuar dokumentarin “Fondi i Dallavereve”, ku sinjalizuesi Alban Pozhegu shpaloste dyshime serioze për keqpërdorime në shkallë masive e sistematike për fondet publike për shërim jashtë vendit.

Zyra Kombëtare e Audtimit, në një raport të sivjetshme ka konfirmuar një pjesë të mirë të konstatimeve të këtij hulumtimi të Insajderi, transmetuar në këtë dokumentar ku pos intervistë së Pozhegut kishin nxjerr në publik edhe dokumente.

Derisa disa sëmundje që edhe mund të shërohen brenda institucioneve publike në vend, por kanë përfunduar në shërim jashtë vendit, një shërbim mjekësor i domosdoshëm për shumë pacientë patjetër mbetet që të bëhet jashtë vendit: Transplantimi i organeve.

Kjo ndodh në Kosovë që nga paslufta, pasi që vendi kurrë nuk e miratoi ligjin për transplantimin e organeve.

Si nismë e kishte marrë ish-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, por që kurrë nuk arriti të bëhej ligj.

Ishte viti 2013, kur ish-ministri shtyu përpara Projektligjin për transplantimin e organeve, që lejonte operacionet edhe në klinikat private, por u tërhoq me sugjerimin e ndërkombëtarëve.

Ishte misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, kishte kërkuar që ky ligj të tërhiqet nga procedura. Kërkesa erdhi pikërisht në kohën kur po hetohej rasti i njohur “Medikus”, i dyshuar për transplant ilegal të organeve.

Në atë kohë ishte një përgjigje që Ministria e Shëndetësisë është në proces, por edhe mbi një dekadë më vonë kjo ministri, ani pse kanë ndërruar shumë e shumë ministra, ende e ka të njëjtën përgjigje: jemi në proces.

Ministria e Shëndetësisë është aktualisht në proces të plotësim ndryshimit të Ligjit për Shëndetësi, Ligjit për Sigurime Shëndetësorë dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për sektorin. Ne kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor (Shëndetësia) është paraparë edhe hartimi i Koncept dokumentit për transplantimin e organeve, që do t’i hap rruge hartimit dhe miratimit të Ligjit për transplantimit të organeve në Kosovë, duke e adresuar këtë fushë të rëndësishme të shërbimeve shëndetësore në vendin tonë”, kanë thënë nga kjo ministri për Insajderin.

Derisa Ministria e Shëndetësisë për më shumë se një dekadë vazhdon të jetë në proces, por kurrë nuk u bë ligj i zbatueshëm ai për transplantim të organeve, qytetarët e Republikës vazhdojnë të shpenzojnë para të shumta për këtë shërbim- për disa i vetmi për të shpëtuar jetën.

Apel të shumta, asnjëherë përgjigje pozitive

I tillë është edhe fati i Trim Musliut nga Prishtina, i cili ka nevojë për transplant. Së shpejti ai pritet ta kryejë ndërhyrjen e dytë për veshkat, sërish në Turqi. Kjo për shkak se është i detyruar

Përtej intervenimit, ai ka shpenzuar qindra-mijëra euro, që të ketë gjendje stabile.

“…Nuk ka kushte, nuk ka ligj të transplantim, njëherë duhet të bëhet ky ligj, sepse transplantim i veshkave është shumë i kushtueshëm megjithatë ne po duhet të marrim mundin nga këtu t’i bëjmë të gjitha pagesat nëpër vendet tjera ku kryesisht target është Turqia dhe të shkojmë atje ta bëjmë transplantin”, ka thënë ai derisa shprehet se nuk e kupton pse në Kosovë nuk invesohet në një repart që kryen këto shërbime, pra milionat e investuara jashtë, të qëndrojnë në vendin tonë.

Musliu kritikën e tij e ka drejtuar edhe tek deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët asnjëherë sipas tij nuk kanë tentuar ta dërgojnë në Kuvend këtë ligj.

“Këtë nuk e kuptojë, ka shumë kohë që bëjmë apel për një ligj të tillë, por nuk është marrë asnjëherë mundi as të diskutohet në parlament për ligjin e transplatit e lërë më të marrin ndonjë vendim në të mirë të tij”, u shpreh.

I detyruar të kryjë procedurat e dializës 4 herë në javë, Trimi ankohet për kushtet që janë në Klinikën e Hemodializës. Ka mungesë të gjësendeve bazike.

“…siç duhet tek ne ka mungesa të shumta në dializë duke filluar nga sendet kryesore që janë fashat nganjëherë ka mungesë edhe të fllasterave, do të thotë në raport me shku ti diku tjetër me i bë dializën e sheh menjëherë dallimin me Kosovë”.

I pyetur mbi kosoton e trajtimit të sëmundjes së tij, ai ka sqaruar se sa përqind është mbuluar nga shteti. Por, thotë se shpenzimet nuk janë vetëm kaq, kur kryejnë intervenimin ka edhe shpenzime tjera tejet të larta të cilat nuk merren fare parasysh nga shteti.

“MSH ligjërisht i mbulon pjesën e operacionit dikun deri në 70% herën e parë, megjithatë kjo shumë nuk është asgjë sepse këta e kanë një paketë që e bëjnë vetëm për transplant. Por, ai i transplantuari ka edhe analiza, ka edhe procedura tjera që duhet t’i bëjë e që ministria nuk i mbulon. Mua, për herën e dytë i kam bë dikun 5 seanca plaza-feres, është një pastrim i plazmës së trupit ku ministria nuk e mbulon fare, e që është shumë e kushtueshme e që realisht kam mundur ta bëjë edhe në QKUK, por këta nuk e kanë një aparat të tillë për me bë atë proces të plazma-feresit“.

“Kështu që këtu ka shumë gjëra që mungojnë, që nëse do t’i kishim këtu do të na kishin ulë shumë shpenzimet e poashtu do të na kishin ndihmu për përgatitje të trupit për transplantim e ri-transplantim”, ka thënë Trimi për Insajderin.

Në mungesë të ligjit që rregullon transplantimin e organeve në Kosovë, personat që kanë nevojë për operacione të tilla detyrohen që të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Kush i mbulon shpenzimet për transplantim jashtë vendit

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri shkurtimisht ka treguar se sa për qind të shpenzimeve iu mbulon shteti, pacientëve që kryejnë transplante të organeve jashtë vendit.

“Ligjërisht deri në moshën 18 vjecare mbulohet 100%  ndërsa mbi moshën 18 vjeçare limiti maksimal është 30 mijë euro brenda 1 viti që pala mundet të përfitojë nga programi jonë. Ndërsa janë disa kategori të liruara, kategoritë sociale, janë 3-4 kategori të cilat lirohen 100%  të kostos financiare për shërbim”, ka thënë Kaçurri derisa ka hezituar të flas me shifra duke thënë se edhe mund të gabohet.

Kujtojmë që Ministria e Shëndetësisë ishte kritikuar përgjatë viteve, për mënyrën se si i shpenzonte mjetet për trajtim të pacientëve jashtë vendit.

Kosova është i vetmi vend në rajon pa ligj për transplant të organeve. Aktualisht ka të miratuar vetëm Ligjin për Transplantin e Indeve dhe Qelizave – ligji i cili nuk rregullon transplantin e organeve, donacionin e gjakut, transfuzionin e komponentëve të gjakut dhe riprodhimin e asistuar.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark