×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    ‘Fondi i Dallavereve’, Auditori konfirmon hulumtimin e Insajderit për milionat e shpenzuara në mënyrë të dyshimtë për shërim jashtë vendit

    Insajderi
    21 June 2023 - 12:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Afro një vit më parë Insajderi në emisionin InDoks transmetoi dokumentarin “Fondi i Dallavereve”. Tash, një raport i nxjerr nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka konfirmuar një pjesë të mirë të konstatimeve që ishin publikuar atë kohë.

    Gazeta Insajderi

    Mbi 11 muaj më parë, Gazeta Insajderi kishte transmetuar një intervistë ekskluzive të sinjalizuesit Alban Pozhegu. “Fondi i Dallavereve”, që kishte në qendër këtë intervistë, por edhe shumë dokumente të nxjerra në publik përmes tij, alarmonte për dyshime për keqpërdorime milionëshe në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore derisa atë po e udhëhiqte Fatmir Plakiqi.

    Pak javë më vonë, ish-Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Rifat Latifi kishte ndërruar bordin e Fondit në fjalë, dhe bordi e suspendoi Plakiqin.

    Në vend të tij që nga korriku i vitit 2022 është vendosur si ushtrues detyre Bujar Kaçuri.

    Në dokumentarin “Fondi i Dallavereve”, sinjalizuesi Alban Pozhegu, dikur shef i tenderëve në Fondkishte shpalosur qindra faqe dokumentesh, për siç thotë ai, keqpërdorime nga vet mënyra se si në krye të Fondit erdhi Plakiqi, punësimet, tenderë e deri të dyshimet serioze për keqpërdorime me paratë e shtetit për shërim jashtë vendit.

    Çka ka gjetur tash Zyra Kombëtare e Auditimeve?

    Fillimisht bëhet me dije se kërkesa për audtimin e milionave të FSSh-së erdhi me një kërkesë të Ministrisë së Financave që drejtohet nga Hekuran Murati, kërkesë që shkoi në ZKA në muajin tetor të vitit të kaluar.

    Aty bëhet me dije se FSSH, në pasqyrat financiare të vitit 2022 ka shpalosur detyrime totale në vlerë prej mbi 31 milionë eurosh, nga të cilat mbi 2.8 milionë ishin detyrime financiare, ndërsa mbi  28 milionë euro të tjera ishin detyrime kontigjente.

    Në vlerën e detyrimeve kontigjente ishin përfshirë detyrimet 26,268,807€ që rrjedhin nga fletë zotimet e lëshuara nga programi për TMJIShP (Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike), detyrimet 2,527,631€ nga lëndët e rregullta që janë në pritje për shqyrtim nga Bordi Ekzekutiv për TMJIShP dhe detyrimet 186,915€ nga paditë gjyqësore”, thuhet në raport.

    Sa për të ardhur në konstatime të tyre auditorët kanë shqyrëtuar hiq më pak se sa 150 lëndë, që bashkë kapin vlerën mbi 11 milionë euro.

    Kemi vërejtur se në 80 mostra, FSSH nuk i kishte evidentuar në regjistrat e detyrimeve të papaguara faturat e pranuara në vlerë 4,308,262€ të pacientëve që kishin përfunduar trajtimet shëndetësore dhe kishin sjellë raportet mjekësore e financiare, ashtu siç kërkohet me rregullën financiare. Këto lëndë nuk ishin shqyrtuar nga Bordi për TMJSHP edhe pse i kishin plotësuar kushtet administrative dhe financiare për aprovim. Këto lloje të detyrimeve figuronin në regjistrin e detyrimeve kontigjente me shuma të pro faturave dhe të njëjtat ishin prezantuar edhe në PFV”, thuhet në raport.

    Auditorët në këtë matje me 150 dosje, kanë ardhur në përfundimin që kjo “ka ndikuar në krijimin e borxheve të mëdha ndaj spitaleve private, e kjo mund të rrezikoj që spitalet të ndërpresin ofrimin e mëtejshëm të shërbimeve për qytetarët bazuar në fletëzotimet e FSSH, duke shkaktuar për ta një barrë të madhe financiare, marrë parasysh kostot e larta të këtyre shërbimeve”.

    Në raport është bërë me dije se vit pas viti auditorët gjejnë edhe një shkelje tjetër, që në vitin 2022 kapë vlerën mbi 400 mijë euro, e që është mos dorëzimi i dëshmive pasi që pacientët e përfundojnë trajtimin.

    Nga 38 mostrat e testuara të pagesave për TMJISHP për rastet e rregullta ose jo urgjente, 33 pacient nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar. Vlera financiare për rastet të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit është 446,429€. Kjo e gjetur po përsëritet vit pas viti në raportet e auditimit për FSSH-në”, vijon raporti.

    Po heton edhe Policia

    Në dhjetor të vitit të kaluar Insajderi kishte realizuar një intervistë me Bujar Kaquri ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Fondin për Sigurime Shëndetësore.

    Ai në këtë intervistë pati e sa lëndë për të cilat dyshohet për keqpërdorimin për trajtimet jashtë vendit janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

     “Po, kemi kërkesë zyrtare nga polici hetues i rastit për pajisje me dokumente të cilat ata i vlerësojnë se ka elemente për hetime. Nëse nuk gabohem diku 12 raste janë deri tash që janë kërkuar shkresat e lëndës, të cilat janë vlerësuar se janë në proces hetime. Ka mundësi të gjetjes së shkeljes eventuale e cila është bërë gjatë procesit”, deklaronte Kaquri për InDoks të Gazetës Insajderi.

    Kaquri pati thënë po ashtu se se borxhi që Kosova i ka Turqisë sillet rreth 30 milionëshit.

    Borxhi total i cili raportohet nga korriku tashëm në Ministrinë e Financave sillet rreth 30 milionë euro për rastet e rregullta dhe emergjente, mos të themi 90 por 100% e asaj vlere është spitalet private turke. Kjo ndoshta është bë për arsye të mos nevojës për pajisje me viza të qytetarëve të cilët e kanë më lehtë qasjen në spitale turke, dhe kjo është e vetmja arsye pse 90% e pacientëve kërkojnë trajtim në Turqi”, kishte thënë ai.

    Ai gjithashtu kishte treguar edhe arsyen se pse qytetarët e Kosovës përzgjedhin shtetin turk për trajtim, e nëpër cilat spitale kryhen më së shpeshti intervenimet.

    “…Një numër mos të them i konsiderueshëm gjejnë ndihmë edhe në Maqedoninë e Veriut mirëpo ky numër krahasuar me pacientët të cilët trajtohen në spitale turke është shumë më i madh”, ka deklaruar Kaquri përcjell Insajderi.

    Lidhur me borxhin, Kaquri pati konfirmuar për Insajderin se është diskutuar edhe në nivele më të larta.

    Zyrtarisht nuk kemi informacione, jo zyrtarisht kemi se është debatu edhe në nivele më të larta, ta shohim sepse duhet të ulet e bisedohet për këtë çështje se nuk janë shuma të vogla të borxheve…“, u shpreh ai.

    Mes tjerash ai ka deklaruar se “…pacientët kanë me pësu”, derisa borxhet nuk shlyhen.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark