Muri kushtëzim për Asociacionin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Muri kushtëzim për Asociacionin

    Insajderi
    15 December 2016 - 10:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndërtimi i një muri nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, në anën veriore, përtej urës kryesore mbi lumin Ibër është rezultat i mundësisë për dykuptimësi të marrëveshjes për lëvizje të lirë të arritur në dialogun e Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë.

    Autoritetet e Kosovës kanë reaguar ashpër duke e cilësuar ‘jolegal” ndërtimin e këtij muri dhe “në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit”.

    Në anën tjetër, autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë theksuar se “ky nuk është mur”, por “një mbështetës që do të ndihmojë zonën e këmbësorëve” dhe që do të shndërrohet “në një teatër veror”.

    Politologu, Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e cilëson reagimin e ashpër të autoriteteve të Kosovës si të palogjikshëm, ashtu sikurse edhe ndërtimin e murit në Mitrovicën e veriut.

    Kjo, sipas tij, për faktin se të gjitha marrëveshjet e deritashme në Bruksel, kanë pasur përmbajtje ambivalente apo medykuptimësi, që ka lënë hapësirë interpretimi të dyfishtë, nga Prishtina dhe Beogradi.

    “Çdo gjë që ka ndodhur, deri më tash ka pasur së paku një ambivalentë, e cila është trajtuar ndryshe në Beograd, e ndryshe në Prishtinë. Në rastin konkret, ambivalenca ka të bëjë edhe me Beogradin edhe me Prishtinën. Në këtë kontekst, muri, faktikisht paraqet vetëm një epilog të palogjikshëm të veprimeve, të cilat janë bërë deri më tash. Reagimet të cilat ishin këto ditë, mendoj se gjithsesi janë të palogjikshme, po aq sa është i palogjikshëm edhe ndërtimi i murit”.

    Njohësi i zhvillimeve në vend, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngritja e murit në Mitrovicën e veriut është vetëm edhe një problem më shumë, të cilin Beogradi dhe përfaqësuesit lokal të serbëve në veri të Kosovës do ta përdorin si adut.

    “Ky mur, me siguri është tentim që edhe një herë të vihet në dukje mundësia e konfliktit në urë, për të cilën, tash praktikisht është arritur marrëveshja që të lëshohet për komunikim të ndërsjellë. Mendoj se kjo është e mundur, por edhe për atë që bisedimet lidhur me Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, të përshpejtohen dhe në një mënyrë të tentohet që të vihet në dukje rëndësia problemit. Mendoj që kjo nuk është mënyra dhe mundësia më e mirë që të zgjidhen problemet”.

    Në anën tjetër, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, të mërkurën ka theksuar se ndërtimi i murit nuk është në kuadër të projektit të BE-së për revitalizimin e urës kryesore mbi Ibër dhe se BE-ja “nuk e përkrahë ndërtimin e mureve”.

    Megjithatë, ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk mund të gjejë zgjidhje për këtë problem, ngase kjo çështje duhet të zgjidhet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Politologu Beqaj, thotë se ndërtimi i murit në Mitrovicë të veriut është sinjal serioz se takimet e deritanishme në dialogun Kosovës -Serbi, nuk kanë krijuar normalizim të raporteve dhe lehtësira për qarkullimin e lirë. Sipas tij nga Beogradi po vijnë modele anakronike që flasin të kundërtën e qëllimit të dialogut.

    “Është një moment shumë serioz që të rivlerësohet tërë procesi, ngase nuk është vetëm muri. Është edhe ura, barrikadat, arrestimet, fletë-arrestet, të cilat po paraqiten si pengesë sa herë që po ka nevojë Serbia që të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar. Ndonëse, sipas mendimit tim, kjo është një çështje propagandistike e keqe”.

    “Por, si duket, sa u përket zyrtarëve ndërkombëtar, më seriozisht po trajtohet një veprim anakronik i Serbisë, se sa veprimet racionale që i bën ndoshta Kosova, për disa çështje, për të cilat ka lëshuar pe”.

    Nojkiq, po ashtu, e bën përgjegjës Bashkimin Evropian, si lehtësues të dialogut në Bruksel, për, siç thotë ai, mosdefinim në mënyrë precize të detajeve të marrëveshjeve, për të mos lënë hapësirë interpretimi të dyfishtë.

    “Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të duhej të ishin më rigoroz në definimin e të gjitha detajeve, të cilat në mënyrë të qartë do të tregonin se si të zgjidhen këto probleme”, theksoi Nojkiq.

    Siç ka vlerësuar ai, mungon vullneti i të dyja palëve, i Kosovës dhe i Serbisë, që të insistojnë që detajet e marrëveshjeve të definohen saktë, për t’i përjashtuar problemet.

    Muri në Mitrovicë të veriut, sipas tij, është vetëm një mundësi më shumë për krijimin e tensioneve, jo vetëm ndëretnike, por edhe ndërmjet dy vendeve. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark