Bëhet fjalë për kompaninë PTP “RAD” nga Zveçani, e cila murin që ndan Mitrovicën, e ka ndërtuar me paratë e qytetarëve të Kosovës, përmes buxhetit të komunës së Mitrovicës së Veriut.
Gazeta Metro ka siguruar një dokument, ku Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, vitin e kaluar kishte rekomanduar që kompanisë PTP “RAD” nga Zveçani të mos i jepeshin tenderë nga buxheti i Kosovës, me arsyetimin se ajo asnjëherë nuk kishte kontribuar në këtë buxhet, përcjell Insajderi.
Ky rekomandim kishte ardhur pas një ankese që e kishte paraqitur në AKK një operator ekonomik, rreth një tenderi rreth 100 mijë euro për asfaltimin e një rruge në veri të Kosovës.
AKK konstatonte se operatori ekonomik PTP “RAD” për këtë tender kishte prezantuar një listë me 24 kontrata të realizuara me komunat paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat operojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës.
Sipas AKK-së, Komuna e Zveçanit si autoritet kontraktues është dashur t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mos pranuar referenca të tilla meqë projekti i asfaltimit të rrugës do të realizohet nga buxheti i Kosovës.
Punët që operatori ekonomik PTP “RAD” ka realizuar më herët me struktura të tilla nuk ka dhënë kontribut në buxhetin e shtetit nga i cili financohet komuna. /gazetametro.net