Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka fajësuar partitë opozitare për dështimin e Kosovës që të marrë liberalizimin e vizave, në ditën kur kjo e drejtë iu garantua nga Bashkimi Evropian dy vendeve: Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Përmes një deklaratë të shkurtër në Facebook, Mustafa ka thënë se sot duhet të turpërohen të gjithë ata që shpikën tema të rrejshme, duke iu referuar kështu kontestimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga ana e opozitës.
“Sot është dita kur duhet të turpërohen të gjithë ata që duke shpikur dhe duke u bërë avokat të një kauze të rrejshme penguan liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa Ukraina dhe Gjeorgjia fituan për qytetarët e tyre”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
Në maj të këtij viti, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e vizave për kosovarët, me kushtin që Kuvendi i Kosovës të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi. Megjithsë kjo marrëveshje është nënshkruar gati një vit e gjysmë më parë, ajo ende nuk është ratifikuar, për shkak të kundërshtimit të partive opozitare por edhe një numri të deputetëve të koalicionit qeverisës.
Por, zyrtarë të BE-së në disa raste e kanë bërë të qartë që demarkacioni nuk është kushti i vetëm. Sipas tyre, Kosova duhet të tregojë rezultate edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Insajderi.com