Mustafa: Beogradi përmes murit përpiqet të nxisë konflikte të brendshme – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Beogradi përmes murit përpiqet të nxisë konflikte të brendshme

    Insajderi
    02 January 2017 - 12:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë dy çështje të cilat do të adresohen pasi gjithçka është e qartë rreth tyre.

    Sipas tij, çështja e Demarkacionit ka mbetur peng i një kauze politike që ka përfshirë deputetë nga disa subjekte.

    Ndërkaq, sa i takon Asociacionit, Mustafa ka thënë se u bë zhurmë e madhe. Ai tha se kjo tashmë është krejtësisht e qartë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila siç tha ai, e dha një udhërrëfyes shumë të saktë se si duhet të krijohet ky Asociacion.

    “Sa i takon demarkacionit, është një çështje e konfirmuar katërçipërisht dhe ka mbetur peng i një kauze politike që ka përfshirë deputetë nga disa subjekte. Përveç punës së komisionit shtetëror, të vërtetuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, nga komisioni ndërkombëtar, nga ekspertë të shquar anëtarë të Akademisë së Shkencave, nga drejtuesit e komunave që preken nga kufiri dhe nga bartësit e agjencive shtetërore e ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Mustafa në një intervistë për Telegrafin.

    Ai shtoi se Asociacioni do të themelohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    “Asociacioni do të themelohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo do të ndodhë në kuadër të realizmit të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, disa prej të cilave po sabotohen nga Serbia”, ka shtuar ai.

    Ndërkohë që murin e ndërtuar në veri, Mustafa e quajti një lojë të ulët të Serbisë dhe se Beogradi po përpiqet të nxisë konflikte të brendshme në Kosovë.

    “Muri i ndërtuar në veri është një lojë e ulët e Serbisë, e cila përmes saj ka tentuar fillimisht të krijojë një problem artificial me të cilin ne do të merreshim në Bruksel me muaj të tërë. Së dyti, përmes këtij muri Beogradi po përpiqet të na nxis në konflikte të brendshme në Kosovë dhe të prodhojë kriza në politikën kosovare si dhe me qytetarët serbë në veri të vendit”, ka thënë ai.

    I pyetur për zgjedhjet e parakohshme, Mustafa tha se procesi zgjedhor vetëm sa do të krijonte tensione dhe pakënaqësi.

    “Nuk e shoh asnjë aspekt, që një proces zgjedhor i parakohshëm do të ndihmonte proceset në Kosovë. Kam bindjen e plotë se çdo hyrje në procese elektorale të parakohshme, do të krijonte hapësirë për pakënaqësi me organizimin e tyre, për tensione, dhe si rezultat do të prolongohej çdo progres në vend”, ka shtuar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark