13:01 - 06 Shkurt 2016

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, do të marrin pjesë në takimin e organizuar nga Presidentja e Kosovës me liderët politik që pritet të mbahet në fillim të javës tjetër.

“Natyrisht që unë si kryeministër kam bërë ftesë vet që të takohemi dhe nuk kam asnjë arsye që të mos jem”, ka thënë Mustafa, duke i bërë thirrje edhe një herë opozitës që të marrin pjesë në takim.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi ka shprehur besiminin se sot do të kemi edhe përgjigje pozitive të opozitës sepse, siç ka thënë ai, kjo “është edhe në interesin e tyre”, njofton lajmi.net

Atifete Jahjaga ka ftuar në takim liderët e partive parlamentare në tentim që të gjendet një zgjidhje për krizën politikë në vend.

Por, deri më tani, dy nga partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Nisma, kanë refuzuar këtë ftesë, duke thënë se janë të gatshëm të ulen për bisedime vetëm nëse trajtohet tema e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është ende duke e shqyrtuar ftesën.  Ahmet Isufi, nënkryetari i këtij subjekti, i ka thënë të shtunën Insajderit se gjatë ditës do të njoftojnë nëse do të pranojnë këtë ftesë.

Kujtojmë se deri më tani, tri partitë kanë kundërshtuar çdo iniciativë për t’u ulur për bisedime me përfaqësues të qeverisë ndërsa kryesisht kanë dalë me qëndrime të përbashkëta lidhur me ide të tilla./Insajderi.com