Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se lajmet e mira që sipas tij po vijnë nga administrata e presidentit të ri të ShBA-ve për Kosovën konfirmojnë partneritetin strategjik mes dy vendeve.
“Përkrahja e pazëvendësueshme amerikane ishte vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Populli i Kosovës është botërisht i njohur si populli më proamerikan në glob. Andaj, lajmet e mira që na vijnë nga administrata amerikane nën lidershipin e Presidentit Trump janë të pritura dhe të nevojshme për të rikonfirmuar partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
Këto komente të kryeministrit Mustafa vijnë pasi që Sekretari i ri i Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, kishte lënë të nënkuptohet se Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të transformohet në ushtri, në mënyrë që Amerika gradualisht të tërheqë trupat e saj të vendosura në Kosovë.
“Prania e KFOR-it amerikan në Kosovë është garanci e stabilitetit në krejt rajonin, ndërkaq formimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera mike në kuadër të NATO-s, do të jetë faktor i fuqishëm për rujtjen e paqes dhe ballafaqimin me sfidat rajonale e globale me të cilat mund të ballafaqohemi së bashku me vendet demokratike”, ka shkruar tutje Mustafa.