Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka drejtuar akuza ndaj partive opozitare të cilat kanë refuzuar një ide të tij të dhënë së fundi për matjen e territorit të Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ideja e tij i ka zënë ngushtë kundërshtuesit e demarkacionit kufitar me Malin e Zi.
“Ata që trumbetonin dhe gati e dogjën Kosovën se po humbim mbi 8 mijë hektarë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sot po dalin kundër matjes së territorit, sepse sipas tyre Kosova nuk ka kufij. Shtrohet pyetja se si e matën ata Kosovën (pa kufij) për të akuzuar se po humb territor, nëse kjo matje nuk qenka e mundur të bëhet”, ka shkruar Mustafa.
“Kosova i ka kufijtë e trashëguar, prandaj të ashtuquajturit ekspertë të gënjeshtrave dhe zëdhënës të kauzës së rrejshme politike janë sfiduar dhe kanë ardhur ngushtë me iniciativën për matjen e territorit të Kosovës. Këta po ia bëjnë një dëm të madh sovranitetit shtetëror të Kosovës”, ka shtuar ai.
Për shkak të kundërshtimit opozitar por edhe një numri të deputetëve të koalicionit qeverisës, Kosova nuk ka arritur të ratifikojë ende marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar më shumë se një vit më herët.
Në këto kushte, kryeministri Mustafa kërkoi të themelohet një ekip që do të maste territorin e vendit, në mënyrë që të mos vonohej liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Por, ideja e kryeministrit Mustafa është refuzuar nga partitë opozitare, që e kanë quajtur këtë iniciativë si legjitimim të humbjes së territorit me marrëveshjen me Malin e Zi./Insajderi.com