Ndërtimi i murit në Mitrovicë nga autoritetet lokale serbe të komunës veriore të këtij qyteti, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, janë sinjali i fundit për Bashkimin Evropian që të ndërhyjë dhe ndryshojë formatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se muri i ndërtuar në Mitrovicë është një realitet.
Andaj, sipas tij, Bashkimin Evropian duhet ta kuptojë që mënyra se si është negociuar deri më tani, rezultatet dhe zbatimi i marrëveshjeve, kanë defekte shumë të mëdha.
“Është e pakuptueshme që ne që gjashtë vjet zhvillojmë negociata në Bruksel me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq një ditë na lind një mur i cili nuk është vetëm simbolikë, por është realitet i vullnetit të insistimit të Serbisë dhe të serbëve që të ketë ndarje në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Sipas kryeministrit të Kosovës, palët duhet të ulen dhe të bisedojnë seriozisht dhe të shihet se cila është periudha në të cilën duhet të vazhdojë dialogu dhe cilat janë çështjet të cilat duhet të përmbyllen së negociuari në procesin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Domosdo duhet të ri-formatohet apo reformohet dialogu dhe të shihet se çka mund të bëjmë ne, në mënyrë që të mos mbetemi ne derisa Serbia ta kryen gjithë rrugën e vet të integrimit në Bashkimin Evropian dhe ne të themi se po dialogojmë, kurse ata të mos e zbatojnë asnjë marrëveshje dhe gjithmonë të kenë shkak ose shkas ose arsye që të justifikojnë veprimtarinë dhe qëllimet e veta para BE-së”, ka deklaruar Mustafa.
Edhe anëtari i Kryesisë së partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi thotë se bisedimet me Serbinë kanë dështuar, nëse analizohen për nga zbatimi i marrëveshjeve.
Ai kërkon ndryshimin e qëndrimit të Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun dhe agjendën e tij, pasi që ky proces siç po zhvillohet, sipas tij, po e dobëson pozicionin e Kosovës në relacion me dialogun.
“Kosova duhet të jetë e barabartë në bisedime, duke pasur parasysh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por jo temat e brendshme të Kosovës të vihen në tavolinë, duke e favorizuar Serbinë në integrimet e reja evropiane, përderisa Kosova, të njëjtën kohë, po mbetet e izoluar duke mos pasur liberalizim të vizave”, ka thënë Isufi.
Një formë e tillë e dialogut, sipas Isufit, e ka dëmtuar shumë Kosovën. Duke marrë murin e ndërtuar së fundit në veri të Mitrovicës si shembull të ikjes së palës serbe nga zbatimi i marrëveshjeve, Isufi thotë se autoritetet e Kosovës duhet të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të garantojë zbatimin e tyre si palë ndërmjetësuese në bisedime.
“Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjeve, duhet të veprojë, sepse në mes të Evropës po bëhet një vendosje e murit që i takon shekullit të kaluar”, ka thënë Isufi.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zhvillohet në Bruksel në nivelin politik dhe atë teknik dhe po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i këtij dialogu, sipas Brukselit, është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalizim ky që është vënë edhe si kusht për të dyja vendet në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. (REL)