Ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se as në horizont dhjetëvjeçar nuk sheh marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ku krejt kjo sipas tij është për shkak të papërgjegjësisë së këtij pushteti.
Tutje Mustafa thotë se Kosova është shndërruar në problem të sigurisë.
“Ndërkaq as në horizont dhjetëvjeçar nuk e shoh marrëveshjen përfundimtare. Krejt për shkak të papërgjegjësisë së këtij pushteti. Askush, as SHBA, as BE dhe as Mbretëria e Bashkuar s’flasin për te dhe as për njohje reciproke. Kosova tani është shndërruar në problem të sigurisë”, u shpreh Mustafa.
“Kurti e futi dialogun në mekanizma të sanksioneve. Tani edhe zbatimi/ moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit peshohet me sanksione”, tha Mustafa.
Ai tha se edhe nëse Kurti dëshiron të jap dorëheqje e të mos i zbatoj marrëveshjet këtë nuk do t’ia lejonte komuniteti ndërkombëtar.
“Nuk është fjala vetëm për masat e deeskalimit të situatës në veri, por për përmbushjen e marrëveshjeve të cilat i ka pranuar Kurti në emër të Kosovës. Sa po duket, edhe nëse Kurti do të donte të japë dorëheqje e të mos i zbatonte marrëveshjet, këtë nuk do ta lejojë komuniteti ndërkombëtar pa filluar ai implementimin e marrëveshjeve, me kundërshtimin e të cilave ka ardhur në pushtet”, tha Mustafa.
Pas takimit Kurti-Vuçiq, që pritet të mbahet në shtator, Mustafa për Gazeta Blic ka thënë se Kurti e ka futur dialogun në mekanizma të sanksioneve, ku edhe marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit peshohet me sanksione.