Mustafa nuk u beson sondazheve, thotë se zgjedhjet janë përcaktuese - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa nuk u beson sondazheve, thotë se zgjedhjet janë përcaktuese

    Insajderi
    25 December 2016 - 16:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar hulumtimin e publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i realizuar me të rinj të moshave 17-21 vjeç, dhe i cili e ka nxjerrë Lidhjen Demokratike si partinë e tretë në vend.

    Kryeministri Mustafa ka thënë se shoqëria civile në Kosovë, fatkeqësisht është e politizuar, dhe veç “pret në cilën parti po hyn”.

    “Sondazhi për mua janë zgjedhjet. Në zgjedhje kur të dalim atëherë e shohim se cili është rezultati konkret”, ka theksuar Mustafa.

    “Dyshoj që qytetarët e Republikës së Kosovës e përkrahin dhunën e përkrahin partitë që demonstrojnë dhunë, demonstrojnë kallje, molotov, sulm kundër institucioneve. Këtu nuk shoh asnjë arsye që një sondazh i tillë të arsyetoj një gjë të tillë”, ka shtuar ai në një intervistë për Ekonomia Online.

    Por, kreu i Qeverisë dhe i LDK-së nuk iu beson shumë këtyre sondazheve.

    “Mendoj që shoqëria civile ka të drejtë të bëjë punën e vet. Problem themelore në Kosovë është se nuk ka shoqëri civile të depolitizuar. Kemi një shoqëri civile e cila vetëm duhet me prit pak kohë për me e pa se në cilën parti po hyn a po shkojnë në Vetëvendosje, në PDK apo po shkojnë në LDK. Ne LDK-ja nuk kemi pasur shumë që kanë ardhur”, ka thënë më tej Mustafa në këtë intervistë.

    “Sa i përket se kush ka përmbush detyrime ose zotime ndaj qytetarëve është çështje tjetër për të cilën ne do të kemi përgjigjen në zgjedhjet lokale në vjeshtë të vitit të ardhshëm dhe në zgjedhjet qendrore në qershor të vitit 2018”, ka theksuar Mustafa.

    Sipas hulumtimit të KDI-së, të rinjtë ndërmjet moshës 17 dhe 21 vjeçare kanë deklaruar se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin nesër, do të votonin për këto parti politike: Lëvizja Vetëvendosje 27%; Partia Demokratike e Kosovës 20%; Lidhja Demokratike e Kosovës 13%; Aleanca Kosova e Re 7%; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7% dhe Nisma për Kosovën 3%.

    Gjithashtu, sipas KDI-së, të rinjtë janë pyetur se cili është politikani model për ta. Edhe këtu prinë Albin Kurti i Vetëvendosjes, ndërsa Isa Mustafa del si njeriu i katërt.

    Dardan Molliqaj i Vetëvendosjes ka thënë se ky sondazh që ka dalë pozitiv për VV-në, ka bërë që të heshtën dy partitë në qeveri, LDK dhe PDK.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark